Policia në Shqipëri arrestoi në flagrancë 2 persona të cilët dyshohet se trafikonin vepra të artit dhe trashëgimisë shqiptare, kundrejt fitimit të shumave të mëdha financiare që siguroheshin nga shitja e tyre tek shtetas nga Greqia, Italia dhe Mali i Zi.
Policia tha se gjatë kontrollit u gjetën 13 statuja dhe ikona të madhësive dhe formave të ndryshme, të cilat të dy personat dyshohet se i kanë siguruar në Fier, Berat dhe Gjirokastër.
Sipas policisë njëri prej të arrestuarve është Pëllumb Leka, punonjës i parqeve arkeologjike, i cili siguronte statujat, ndërsa shtetasi tjetër Emanuel Çaço bashkëpunonte për të shitur veprat e artit kundrejt vlerave që sipas policisë varionin nga 10 mijë deri në 20 mijë euro.
Nga pamjet e policisë, veprat e artit te bllokuara që paraqesin kryesisht koka prej mermeri dhe statuja të vogla, sipas vlerësimit paraprak të specialistëve të trashëgimisë janë të ngjashme me ato të zbuluara në qytetet antike.