Lidhje

Një nxënës i vrarë dhe dy të plagosur në një sulm në Finlandë


Një nxënës 12 vjeçar hapi zjarr në një shkollë të mesme në Finlandën jugore, duke vrarë të paktën një nxënës dhe duke plagosur dy të tjerë. Policia tha se i dyshuari u arrestua pas sulmit.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës së Kosovës njoftoi të martën në mbrëmje se në mesin e të plagosurve është edhe një vajzë shqiptare nga Kosova.

Policia e armatosur rëndë rrethoi shkollën e mesme të ulët, me rreth 800 nxënës, në qytetin Vantaa jo larg kryeqytetit, Helsinki, pasi mori një telefonatë për një incident me të shtëna në orën 09:08 të mëngjesit, sipas kohës lokale.

Policia tha se si i dyshuari sikurse i vrari dhe të plagosurit janë të moshës 12-vjeçare. I dyshuari u arrestua në zonën e Helsinkit më vonë të martën dhe me vete kishte një revole.

Kryeministri finlandez Petteri Orpo u shpreh "thellësisht i tronditur" nga ngjarja.

Në dekadat e fundit, Finlanda ka përjetuar dy sulme vdekjeprurëse në shkolla.

Në nëntor të vitit 2007, një student 18-vjeçar i armatosur me një revole gjysmë automatike, hapi zjarr në mjediset e shkollës së mesme Jokela në Tuusula, në Finlandën jugore, duke vrarë nëntë veta. Ai u gjet më pas i vetëvrarë.

Më pak se një vit më vonë, në shtator të vitit 2008, një student 22 vjeçar qëlloi dhe vrau 10 persona me një pistoletë gjysmë automatike në një kolegj në Kauhajoki, në Finlandën jugperëndimore, përpara se të vriste veten.

Sipas ministrisë së Brendshme finlandeze, në vendin nordik me 5.6 milionë banorë, ka më shumë se 1.5 milionë armë zjarri të licencuara dhe rreth 430,000 mbajtës licencash. Gjuetia dhe zotërimi i armëve janë traditë e vjetër në vendin e Evropës veriore.

Pas sulmeve në shkolla me 2007 dhe 2008, Finlanda shtrëngoi ligjet e saj për armët, duke i dhënë policisë më shumë kompetenca për të kontrolluar historitë e individëve që kërkojnë leje për armëmbajtje.

XS
SM
MD
LG