Kandidati republikan për president, Donald Trump, thotë se çdo shtet amerikan duhet të miratojë ligjet e veta lidhur me abortin. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Scott Stearns, qëndrimi i zotit Trump bie ndesh me disa nga përkrahësit e tij që kërkojnë ndalimin abortit në shkallë kombëtare.
Aborti, një çështje e debatueshme në zgjedhjet presidenciale amerikane, doli përsëri në qendër të vëmendjes javën e kaluar pasi Gjykata e Lartë e Floridës miratoi një ligj që e ndalon abortin në këtë shtet pas javës së gjashtë të shtatzënisë.
Por ky zhvillim shtron pikëpyetjen nëse kandidati republikan për president, Donald Trump, e mbështet idenë e disa prej drejtuesve kryesorë të partisë së tij që kërkojnë ndalimin e abortit në shkallë kombëtare. Të hënën, zoti Trump tha në rrjetin ‘TruthSocial’ se çdo shtet duhet të vendosë vetë.
“Shumë shtete do të mbajnë qëndrime të ndryshme dhe do të kenë kufizime të ndryshme për abortin. Disa ligje më konservatore se të tjerat. Përfundimisht ka të bëjë me vullnetin e popullit”, tha zoti Trump.
Vendimi i Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara në vitin 2022 ua kaloi shteteve amerikane këto të drejta, duke i dhënë fund një ligji 50 vjeçar federal që mbronte të drejtën e abortit.
Në video, zoti Trump falënderoi gjashtë gjykatësit duke u përmendur emrin, përfshirë tre të emëruar nga ai vetë. Ai tha se është krenar si personi përgjegjës për dhënien fund të mbrojtjes federale për abortin.
“Çështja e abortit tani do të trajtohet ashtu siç kemi dashur të gjithë. Për nga pikëpamja ligjore, shtetet do të jenë ato që do të vendosin përmes një votimi apo legjislacioni ose ndoshta të dyja. Vendimi i shteteve duhet të jetë ligji përfundimtar”.
Presidenti Joe Biden ka zhvilluar një fushatë të zëshme me zotimin për të rikthyer të drejtën federale për abortin, të vendosur në atë që njihet si çështja Roe kundër Wade.
“Nëse votuesit amerikanë ia japin fitoren e Kongresit demokratëve, ju premtoj se Kamala dhe unë do ta rikthejmë përsëri ligjin ‘Roe kundër Wade’ si ligj për mbarë vendin”, tha zoti Biden.
Zëvendëspresidentja Kamala Harris, e cila garon sërish përkrah Presidentit Biden, është pjesë e një fushate për ta lidhur zotin Trump me pikëpamjet më ekstreme kundër abortit.
"Si guxojnë të besojnë këta udhëheqës të zgjedhur se janë në pozita më të mira për t’u treguar grave se çfarë është në interesin e tyre më të mirë. Duhet të jemi një vend që ka besim tek gruaja”, tha zonja Harris.
Dyshja demokrate, Harris - Biden, po përqendrohen tek të drejtat e riprodhimit pasi aborti i ka dëmtuar politikisht republikanët që nga vendimi i Gjykatës së Lartë, me dy humbje të mëdha në referendumet në Ohajo dhe Kansas.
Zoti Trump duket se u ka bërë thirrje mbështetësve të tij për pasojat politike të izolimit të të moderuarve në lidhje me abortin.
“Për këtë çështje ju duhet t’i drejtoheni vetvetes, por gjithashtu të fitoni zgjedhjet për ta ringjallur kulturën tonë, faktikisht për ta shpëtuar vendin, i cili aktualisht dhe fatkeqësisht është në rënie”, tha zoti Trump.
Drejtuesja e një prej grupeve më të mëdha kundër abortit në Shtetet e Bashkuara tha të hënën se ishte "thellësisht e zhgënjyer" nga dështimi i zotit Trump për të mbështetur ndalimin e abortit në shkallë kombëtare, por tha se grupi do të vazhdojë ta mbështesë zotin Trump në zgjedhjet kundër demokratit Biden.
Debatet në këto zgjedhje presidenciale mbi të drejtat riprodhuese do të ushqehen gjithashtu edhe nga një vendim i pritshëm i Gjykatës së Lartë nëse do të forcohen kufizimet për qasjen ndaj një ilaçi për abortin.