Lidhje

Kosovë, vritet një grua në Qendrën për punë sociale në Ferizaj


Policia e Kosovës tha se një grua 21 vjeçare është vrarë të premtën pasdite në Qendrën për punë sociale në komunën e Ferizajt, rreth 30 kilometra në Jug të Prishtinës.

Policia tha se ka arrestuar të dyshuarin ndërsa Prokuroria Themelore e këtij qyteti tha se i ka caktuar masën e paraburgimit prej 48 orësh të dyshuarit, që u identifikua me inicialet V.A., për veprën penale “vrasje rëndë”.

“Rasti ka ndodhur te Qendra për Punë Sociale në Ferizaj, dhe si pasojë e të shtënave me armë zjarri, ka ndërruar jetë një person e gjinisë femërore ndërsa një person tjetër i mitur, ka mbetur i plagosur”, thuhet në një njoftim të Prokurorisë Themelore në Ferizaj.

Mediat lokale thonë se vrasësi është ish bashkëshorti i viktimës.

Vrasja nxiti reagime në shkallë të gjerë.

Presidentja Vjosa Osmani shkroi në rrjetet sociale se edhe një burrë që vranë një grua, sërish femicid. “Mjaft më me dënime qesharake. Mjaft më me sistem të çalë të drejtësisë. Mjaft më me dështim të shtyllave që do të duhej të mbronin gratë tona, qytetarët tanë”, shkroi presidentja duke kërkuar dënim maksimal për vrasësin.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti e dënoi siç tha ashpër vrasjen. “Edhe një grua e vrarë mizorisht nga tyta e armës që ekzekuton nga afërsia. Një grua e Kosovës e vrarë nga një vrasës burrë. Zemërimi dhe neveria bëjnë garë përbrenda secilit qytetar të Kosovës sot. Qytetarja e shtetit tonë të pavarur në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj u qëllua për vdekje”, shkroi ai në rrjetet sociale duk bërë thirrje që drejtësia të veprojë pa vonesa.

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, tha se është e tronditur nga vrasja ndërsa bëri thirrje për dënimin maksimal të autorit.

Misioni në Kosovë i Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE) e dënoi ashpër vrasjen e së premtës ndërsa përgëzoi policinë e Kosovës për arrestimin e menjëhershëm të të dyshuarit “për atë që duket të jetë një femicide”.

Dhuna ndaj gruas ka shënuar ngritje gjatë vitit që e lamë pas në Kosovë. Sipas autoriteteve 3 gra janë vrarë ndërsa mbi dy mijë të tjera ishin viktimë e dhunës në familje përgjatë vitit 2023. Nga viti 2010 deri në nëntorin e vitit 2023, në Kosovë janë vrarë 55 gra.

XS
SM
MD
LG