BE: Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, pjesë e kuadrit negociues të Serbisë për anëtarësim në bllok

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian miratuan ndryshimet në kapitullin 35 të negociatave të anëtarësimit të Serbisë, duke i bërë pjesë të tij detyrimet që dalin nga marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën që u arrit vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër.

Me këtë vendim që u miratua në takimin e Këshillit të ministrave në Luksemburg, normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën shndërrohet në kusht zyrtar për integrimin e Serbisë në BE dhe zyrtarët evropianë thanë se qëndrimi do t'i transmetohet Serbisë me anë të një letre.

Në tekstin e ri të kuadrit negociues theksohet se “Serbia zbaton plotësisht detyrimet që dalin nga Marrëveshja në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, sipas Aneksit të zbatimit të saj, siç ishin pajtuar më 18 mars të vitit 2023”.

Nuk pati ndonjë koment të menjëhershëm nga autoritetet në Beograd.

Bashkimi Evropian tha se palët janë pajtuar që “detyrimet e tyre përkatëse që rrjedhin nga Marrëveshja... bëhen pjesë integrale e rrugëve të tyre drejt integrimit evropian”.

Me 27 shkurt të vitit të kaluar kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, u pajtuan për një marrëveshje normalizimi mbi një plan i cili qe bërë i njohur si nisma franko gjermane.

Me 18 mars në Ohër ata u pajtuan për udhërrëfyesin e zbatimit të marrëveshjes e cila kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra-tjetrës. Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë. Plani parasheh edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Megjithë marrëveshjen palët kaluan nëpër periudha tensionesh të larta që kulmuan me 24 shtator kur një polic i Kosovës u vra gjatë një sulmi serbësh të armatosur.

Më 21 tetor të dërguarit amerikanë dhe evropianë u dorëzuan palëve një dokument për zbatimin e marrëveshjes, pjesë e së cilës ishte edhe një propozim për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, që është edhe pika më e vështirë e procesit të bisedimeve Kosovë – Serbi.

Me 26 tetor udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë u takuan me udhëheqësit e vendeve kryesore të Bashkimit Evropian, presidentin francez, Emannuel Macron, kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe kryeministren italiane Giorgia Meloni, në kuadër të përpjekjeve perëndimore për të çuar përpara zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se ishte i gatshëm të nënshkruante projektin e ofruar nga diplomacia perëndimore për themelimin e Asociacionit duke akuzuar presidentin serb Aleksandar Vuçiç se e refuzoi atë.

Presidenti serb tha se nuk është shtruar çështja e nënshkrimit apo mosnënshtrimit gjatë bisedimeve, ndërsa e cilësoi propozimin e 21 tetorit si një bazë të mirë për vazhdimin e diskutimeve në të ardhmen.

Me 27 tetor presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni në një deklaratë të përbashkët i kërkuan Kosovës të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, ndërsa Serbisë që të njohë de-facto shtetësinë e Kosovës.

Por procesi i themelimit të Asociacionit ende nuk ka filluar, ndërsa Serbia tha se nuk do të zbatojë pjesët e marrëveshjes që çojnë në njohjen de facto apo de jure të Kosovës.

Bashkimi Evropian ka ritheksuar shumë herë se “marrëveshja është e detyrueshme në tërësinë e saj sipas ligjit ndërkombëtar dhe çdo mungesë zbatimi rrezikon integrimin evropian” të Kosovës dhe Serbisë.

XS
SM
MD
LG