Lidhje

Ligji për abortin në Florida, në qendër të polemikave mes kampeve të kandidatëve Biden dhe Trump


Shteti amerikan i Floridës ka filluar të zbatojë një ligj të ri që ndalon shumicën e aborteve pas javës së gjashtë të shtatzënisë. Në këtë fushatë presidenciale, Donald Trump po mbron të drejtën e shteteve për të rregulluar të drejtat riprodhuese. Presidenti Joe Biden thotë se decentralizimi i autoritetit mbi ligjet e abortit kërcënon jetën e grave.

Ligji për abortin, polemika mes kampeve të kandidatëve Biden dhe Trump
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:27 0:00


Ekipi i fushatës së Presidentit Biden ka vendosur të drejtat riprodhuese në qendër të përpjekjes së tij për të siguruar një mandat të dytë. Nënpresidentja Kamala Harris bëri fushatë në Florida në ditën kur hyri në fuqi ligji i ri i shtetit për abortin.

"Kjo është një luftë për liri. Liria themelore për të marrë vendime për trupin tuaj dhe për të mos lejuar ndërhyrjen e qeverisë në këtë çështje", tha ajo.

Ligji i ri i Floridës për abortin është ndër më kufizuesit në të gjithë vendin dhe ka nxitur një iniciativë për të hedhur në votim në nëntor përfshirjen e të drejtave të abortit në kushtetutën e shtetit.

Shtetet amerikane filluan të miratonin ligjet e tyre për abortin pasi një vendim i Gjykatës së Lartë në vitin 2022 i dha fund mbrojtjes federale të abortit.

Ish Presidenti Trump ka emëruar tre nga gjashtë anëtarët e Gjykatës së Lartë që vendosën për këtë çështje dhe Nënpresidentja Harris thotë se votuesit duhet ta mbajnë atë përgjegjës për këtë.

"Në të gjithë vendin tonë, ne jemi dëshmitarë të një sulmi të gjerë nga shtetet ndaj të drejtave riprodhuese. Dhe duhet ta kuptoni se fajtor për këtë është ish Presidenti Donald Trump", tha ajo.

Ndërsa zoti Trump thotë se ligji i ri i Floridës shkon shumë larg, ai rregullisht merr meritat për këtë qasje të shteteve ndaj abortit. Është "vullneti i popullit" shpjegoi ai në një video në faqen e tij të mediave sociale muajin e kaluar.

“Shumë shtete do të kenë kufizime të ndryshme për abortin, për numrin e javëve kur do të lejohet aborti. Disa shtete do të kenë ligje më konservatore. Në fund, kjo ka të bëjë me vullnetin e popullit. Ju duhet të ndiqni zemrën tuaj, ose në shumë raste, fenë ose besimin tuaj.”

Candace Dye, pronare e një klinike aborti, thotë se kishte një nxitim të pacientëve përpara hyrjes së ligjit të ri të abortit në fuqi. Ajo mendon se ndalimi i abortit që në javën e gjashtë të shtatënizë është shumë kufizues.

“Shumë vajza as që e dinë se janë shtatzënë deri në javën e gjashtë. Ato mendojnë se janë në javën e katërt të shtatzënisë kur vijnë për kontrollet mjekësore, ku mësojnë se tashmë janë në javën e gjashtë të shtatzënisë. Ato pastaj duhet të bëjnë kontrolle mjekësore në dy ditë të ndryshme”, thotë ajo.

Jashtë klinikës, protestuesit kundër abortit përpiqen të flasin me çdo grua që hyn në klinikë.

“Unë jam këtu sepse aborti më ka lënduar dhe sigurisht që nuk dua të shoh gra të tjera të lënduara nga aborti. Ata hyjnë në derë dhe nuk dalin kurrë njësoj. Pavarësisht se si përpiqen ta vazhdojnë jetën normalisht, jeta e tyre nuk do të jetë kurrë normale”, thotë protestuesja Tammy Holly.


Ndonëse rrëzimi i ligjit të abortit po motivon shumë votues republikanë,
zoti Trump duket se është i ndërgjegjshëm për pasojat politike të kësaj çështje në një garë të ngushtë presidenciale.

“Gjithmonë veproni me zemër, por ne duhet të fitojmë zgjedhjet. Ne jemi një vend i dështuar, por nuk mund të jemi më një vend i dështuar. Ne do ta bëjmë Amerikën një vend të madh”, tha ai.

Nënpresidentja Harris thotë se aleatët republikanë të zotit Trump në Kongres duan një ndalim të abortit në të gjithë vendin.

Zoti Trump ka thënë se kjo nuk është e nevojshme tani që shtetet mund të miratojnë vetë ligjet për abortin.

XS
SM
MD
LG