Lidhje

Shqipëri, zotime për rritje të transparencës dhe qasjes në informim


Pamje nga konferenca
Pamje nga konferenca

Në Shqipëri, autoritete shtetërore dhe të pavarura shprehën angazhimin e tyre për rritur transparencën e administratës publike dhe qasjen në informim.

Kryeministri Edi Rama dhe komisioneri Besnik Dervishi, i bënë këto komente në Konferencën e 15-të Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit, që po zhvillohet në Tiranë.

Shqipëri, zotime për rritje të transparencës dhe qasjes në informim
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:14 0:00

Por përfaqësues të shoqërisë civile, pohuan në seksionet e kësaj konference, se, për të rritur transparencën duhet së pari vullneti politik i qeverisë dhe pavarësia e komisionerëve për të drejtën e infirmimit.

Ndërsa mikpriti në Shqipëri Konferencën e 15-të Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit, komisioneri shqiptar për të drejtën e Informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale tha se shoqëritë dhe teknologjia po shndërrohen me shpejtësi, duke lehtësuar mundësitë e informimit dhe duke vështirësuar mbrojtjen e të dhënave.

Por ai tha se transparenca dhe e drejta për informim duhet të mbizotërojnë, dhe për këtë nevojitet bashkëpunimi i akademikëve, agjencive dhe mediave me komisionerin.

“Në Shqipëri, si në shumë pjesë të botës, ne e dimë zhgënjimin e qytetarëve kur ata hasin burokraci, kur informacioni i kërkuar nuk jepet në kohë, apo kur gazetarët e duan atë në çast për të bërë lajmin e tyre. Megjithatë, pavarësisht këtyre sfidave, ne duhet të mbetemi të palëkundur në përkushtimin tonë për të nxitur transparencën e autoriteteve publike duke respektuar ndërkohë kuadrin ligjor dhe parimet etike”, tha zoti Dervishi.

Në konferencën me 210 delegatë e të ftuar, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, shoqërisë civile, medias, botës akademike, mori pjesë përmes internetit edhe gjyqtari Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, Darian Pavli.

Ai tha se Shqipëri ka bërë përparim dekadën e fundit sa u takon të drejtave për informim dhe rritjen e transparencës së sektorit publik, por sërsih mbeten shumë sfida përpara.

“Një nga sfidat më të rëndësihme është ndryshimi kulturor në administratën publike. Kultura në çdo nivel nuk është diçka që mund të ndryshojë nga dita në ditë, as zhvillimi i instinkteve dhe praktikave të transparencës demokratike”, tha zoti Pavli.

Kryeministri Edi Rama shprehu angazhimin e qeverisë për të nxitur një kulturë transparence brenda institucioneve publike, me konsultime publike dhe ekspozim të informacionit, si një mjet mjaft efektiv kundër keqinformimit dhe dezinformimit.

“Nuk është çështja vetëm të kemi ligje, por dhe t’i zbatojmë ato dhe hendeku midis hartimit të ligjeve dhe zbatimit të tyre është sfidë për shumë prej pjesëmarrësve këtu në konferencë”, tha zoti Rama.

Ndërsa Flutura Kusari, përfaqësuese nga Qendra Europiane për Lirinë dhe Shtypit dhe Medias, drejtoi sesionin Roli i shoqërisë civile në nxitijen e transparencës dhe lirisë së informimit.

Ajo theksoi se në bashkëpunimin e komisionerëve me shoqërinë civile duhen përmbushur disa parakushte për të punuar.

“Së pari nevojitet vullneti politik. Transparenca dhe llogaridhënia e autoriteteve publike është çështje e vullnetit politik. Një vend mund të ketë ligje të bukura, manuale pune të shkëlqyera, por nëse nuk ka vullnet për t’u bërë llogaridhënës para publikut, atëherë publikut i vështirësohet qasja në informacion. Në këto kushte bëhet shumë e vështirë për komisionerët dhe agjencitë që të japin ndihmesë. Asnjë agjenci apo komisioner nuk ka aftësitë që shërbejë si një zyrë ankesash për çdo rast problematik”, tha zonja Kusari.

Ajo theksoi se po aq thelbësore është pavarësia politike e komisionerëve, sidomos nga partitë në pushtet, në mënyrë që ata t’i shërbejnë publikut dhe jo politikanëve dhe as grupeve të interesit.

“Komisionerët duhet të jenë pajisur me burime të mjaftueshme dhe grupe pune të përgatitura, që besojnë tek transparenca, të njohin ligjet dhe standartet. Ata duhet të jenë të angazhuar me shoqërinë civile dhe median, edhe kur ata kritikohen prej tyre. Dyert e komisionerëve dhe agjencive duhet përherë të jenë të hapura për këdo”, tha zonja Kusari.

Gazetarët në Shqipëri shprehin shqetësim për qasjen e kufizuar në informacionin zyrtar, në dokumente me rëndësi për shkrimet e tyre, si dhe për moslejimin për të ndjekur nga afër veprimtaritë e institucioneve, të cilët nisin më pas materiale video e tekste të përgatitura në zyrat e tyre.

Në raportin e Progresit të Komisioni Europian për Shqipërinë thuhet mes të tjerash se nuk ka përmirësim për sa u takon sulmeve verbale dhe fizike, fushatave denigruese dhe padive kundër gazetarëve.

Qeveria është duke përgatitur një udhërrëfyes për trajtimin e cështjeve në kapitujt 23 dhe 24 të për negociatat me BE-në, me rëndësi të madhe për median, ligjet dhe të drejtat themelore dhe fusha të tjera.

XS
SM
MD
LG