Lidhje

Vëllai i presidentit Joe Biden, dëshmitar në gjyqin për Hunter Biden-in


Hunter Biden
Hunter Biden

Prokurorët federalë e paraqitën të martën djalin e presidentit Joe Biden, Hunter Biden-in, si një person që ka qenë qartësisht i ndërvarur nga droga, kur gënjeu në formularët federalë për blerjen e një arme në vitin 2018. Prokurorët thanë se ai arriti madje të bindte edhe të afërmit e tij, megjithëse ishin në dijeni të veprimeve të tij.

Ndërkaq avokati i Hunter Biden-it njoftoi se do të thërrasë vëllanë e presidentit Joe Biden si dëshmitar. James Biden dhe Hunter Biden kanë patur një marrëdhënie të ngushtë dhe xhaxhai e ka ndihmuar nipin edhe në të kaluarën gjatë terapive për t’u shkëputur nga ndërvarësia nga droga.

James Biden, vëllai i presidentit Joe Biden
James Biden, vëllai i presidentit Joe Biden

Ndaj Hunter Biden-it janë ngritur tre akuza penale për shkak të blerjes së armës në një periudhë kur sipas vetë kujtimeve të shkruara prej tij, ai ishte i ndërvarur nga droga. Ai akuzohet se ka mashtruar një shitës të liçencuar të armëve, duke gënjyer në formularin e aplikimit se nuk ishte përdorues droge dhe duke patur rrjedhimisht një armë në mënyrë të kundraligjshme për 11 ditë.

Prokurorët i thanë jurisë në deklaratën e tyre hapëse se Hunter Biden-i ishte qartazi një i ndërvarur nga droga kur bleu armën dhe se ai i tha të vesë së vëllait të tij se po priste një shpërndarës droge, vetëm disa ditë pasi ai gënjeu në formular.

“Askush nuk lejohet të gënjejë në një formë federale të tillë, madje as Hunter Biden-i”, tha prokurori federal Derek Hines.

“Ai e kaloi kufirin kur zgjodhi të blinte një armë dhe gënjeu në formularin federal. Zgjedhja e të pandehurit për të blerë një armë është arsyeja pse ne jemi këtu”.

Prokurori Hines tha se "ndërvarësia është dëshpëruese", por se ndërvarësia e Hunter Biden-it nuk është motivi për këtë çështje gjyqësore.

Procesi gjyqësor po zhvillohet pasi prokurorët patën pranuar më herët një marrëveshje që do të kishte shmangur këtë gjyq kaq pranë zgjedhjeve të 2024-ës. Hunter Biden-i ka deklaruar se është i pafajshëm dhe ka argumentuar se është vënë në shënjestër padrejtësisht nga Departamenti i Drejtësisë, pasi republikanët e dënuan marrëveshjen tashmë të pavlefshme për pranimin e fajësisë, si një trajtim i veçantë për djalin e presidentit demokrat.

Zonja e Parë Jill Biden dhe motra e tij Ashley Biden iu bashkuan sërish në sallën e gjyqit, ndërsa filluan deklaratat hapëse.

Zonja e parë Jill Biden duke hyrë në gjykatën në Uillmington, Dellauer (4 qershor 2024)
Zonja e parë Jill Biden duke hyrë në gjykatën në Uillmington, Dellauer (4 qershor 2024)

Gjyqi po zhvillohet vetëm disa ditë pasi Donald Trump-i, kandidati i pritshëm republikan për president, u shpall fajtor për 34 akuza penale në qytetin e Nju Jorkut. Dy proceset gjyqësore nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, por mbajtja e tyre në një periudhë kaq të afërt kohore nënvizon se si gjykatat janë vendosur në qendër të vëmendjes gjatë fushatës elektorale të këtij viti.

Përzgjedhja e jurisë u bë të hënën në vetë shtetin e presidentit, në Dellauer, aty ku u rrit Hunter Biden-i dhe ku familja Biden është e vendosur prej kohësh. Joe Biden-i ka shërbyer për 36 vite si senator në për shtetin Dellauer dhe udhëtonte çdo ditë për në Uashington.

Njerëzit atje janë në dijeni të aksidentit me makinë në fillimin e viteve 1970, kur dy djemtë e vegjël të presidentit Biden, Hunter dhe Beau, u plagosën dhe kur humbën jetën bashkëshortja dhe vajza e tij. Gjithashtu, Beau Biden-i pati shërbyer si prokuror i përgjithshëm i Dellauerit përpara se të vdiste nga kanceri në moshën 46-vjeçare.

Disa kandidatë për anëtarë të jurisë u skualifikuan sepse e njihnin personalisht familjen, të tjerë sepse kishin pikëpamje politike pozitive apo negative për familjen Biden dhe për rrjedhojë nuk mund të tregoheshin të paanshëm. Megjithatë, u desh vetëm një ditë për të përzgjedhur jurinë me 12 anëtarë dhe katër anëtarë të tjerë rezervë.

Hunter Biden-i do të përballet gjithashtu edhe me një gjyq në Kaliforni në shtator, me akuzën e mospagimit të taksave prej 1.4 milionë dollarësh. Të dyja çështjet gjyqësore do të ishin zgjidhur nëpërmjet marrëveshjes së arritur me prokurorët korrikun e kaluar, në përfundim të një hetimi shumëvjeçar mbi marrëdhëniet e tij të biznesit.

Por gjyqtarja Maryellen Noreika, e cila u emërua në këtë detyrë nga ish-presidenti Trump, vuri në dyshim disa aspekte të pazakonta të marrëveshjes, që përfshinte një pranim fajësie për shkeljet tatimore dhe një marrëveshje për akuzat për armëmbajtjen, që nënkuptonte pushim të çështjes nëse nuk do të kishte shkelje të mëtejshme për dy vite.

Avokatët nuk arritën t’u japin përgjigje të mjaftueshme pyetjeve të ngritura nga gjykatësja dhe marrëveshja u prish. Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland më pas emëroi në muajin gusht një prokuror të posaçëm në krye të hetimeve, ish-prokurorin e shtetit Dellauer, David Weiss-in. Një muaj më vonë ndaj Hunter Biden-it u paraqit padia gjyqësore.

Deklaratat hapëse në gjykatë bëhen ndërsa prokurori i përgjithshëm Garland u përball me anëtarët e Komisionit për Gjyqësorin të Dhomës së Përfaqësuesve të udhëhequr nga republikanët në Uashington. Ky komision ka hetuar presidentin Biden dhe familjen e tij dhe kryetari i këtij komisioni ka drejtuar hetimin e ngecur për shkarkimin e mundshëm të presidentit, për shkak të marrëdhënieve të biznesit të Hunter Biden-it.

Gjyqi në Dellauer nuk ka të bëjë me çështjet e biznesit jashtë vendit të Hunter Biden-it, megjithëse gjatë procesit ka të ngjarë të rrëmohet në të kaluarën duke risjellë kujtime të errëta, të turpshme dhe të dhimbshme.

Hunter Biden dhe bashkëshortja Melissa Cohen Biden
Hunter Biden dhe bashkëshortja Melissa Cohen Biden

Aleatët e presidentit janë të shqetësuar për pasojat që ky proces gjyqësor mund të sjellë për presidentin e moshuar, i cili ka qenë prej kohësh i shqetësuar për djalin e vetëm që i ka mbetur gjallë dhe të cilit tani i duhet të ndjekë shqyrtimin publik të gabimeve të së kaluarës së djalit të tij. Dhe presidentit Biden i duhet ta bëjë këtë ndërkohë që është duke bërë fushatë elektorale, ndërsa niveli i mbështetjes nga publiku në anketime nuk është i mjaftueshëm dhe ndërsa përgatitet për një debat të ardhshëm zgjedhor me ish-presidentin Trump.

Në bordin e avionit presidencial Air Force One të hënën në mbrëmje, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre u pyet nëse çështja gjyqësore mund të ndikojë në aftësinë e presidentit për të bërë detyrën, dhe ajo u përgjigj: "Absolutisht jo".

“Ai gjithmonë vendos popullin amerikan në plan të parë dhe është i aftë të bëjë punën e tij”, tha zonja Jean-Pierre, e cila nuk pranoi të thoshte nëse presidenti Biden ishte informuar mbi gjyqin gjatë ditës, apo nëse foli me djalin e tij pas përfundimit të procesit.

Presidenti Biden pritej të udhëtonte drejt Francës të martën në mbrëmje, duke qenë kështu i larguar për pjesën tjetër të kësaj jave. Zonja e parë pritej t'i bashkohej në fund të javës.

Çështja gjyqësore ndaj Hunter Biden-it buron nga një periudhë kur, siç ka pranuar ai vetë publikisht, ishte i ndërvarur nga kokaina. Rënia e tij në këtë ndërvarësi pasoi vdekjen e vëllait të tij nga kanceri në vitin 2015.

Nëse shpallet fajtor, ai mund të përballet me një dënim me deri në 25 vite burg, megjithëse shkelësve për herë të parë nuk u jepet ky dënim maksimal dhe nuk është e qartë nëse gjyqtarja do t'i jepte atij një dënim të tillë.

Ish-presidenti Trump do të marrë dënimin më 11 korrik nga gjyqtari Juan M. Merchan, i cili ngriti mundësinë e burgut gjatë gjyqit, pasi ish-presidentit iu vunë mijëra dollarë gjoba për shkeljen e një urdhri për të mos sulmuar publikisht dëshmitarët dhe juristët.

XS
SM
MD
LG