Lidhje

Mickovski dorëzon në parlament emrat dhe programin e kabinetit qeveritar


I ngarkuari me formimin e qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickovski dorëzoi të martën në parlament emrat e kandidatëve për ministra dhe programin e qeverisë, ku theksohet lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si një çështje me përparësi.

Zoti Mickovski i VMRO-DPMNE-së pritet ta drejtojë qeverinë me 20 ministri, pasi parlamenti i miratoi para pak ditësh ndryshimet për zgjerimin nga 16 në 20 anëtarë të kabinetit.

Mickovski dorëzon në parlament emrat dhe programin e kabinetit qeveritar
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:25 0:00

Ndër emrat e kabinetit të pritshëm qeveritar janë disa personalitete të njohura për opinionin maqedonas dhe të propozuarit e VMRO-së kanë pothuajse të gjithë afërsi me kryetarin Hristijan Mickovski.

Timço Mucunski, aktualisht kryetar i Komunës së Aerodromit në Shkup do të jetë ministër i Punëve të Jashtme. Për ministër të Rendit propozohet Pançe Toshkovski, i cili ishte në këtë post në tre muajt e fundit të qeverisë teknike. Në krye të financave vjen Gordana Dimitrievska Koçovska.

Por, ajo që ka nxitur shumë debate është propozimi që Ivan Stoilkoviç të jetë në krye të ministrisë për Marrëdhenie midis Bashkësive Etnike. Drejtuesi i një partie të pakicës serbe, Stoilkoviç njihet për marërdhëniet e tij të ngushta me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, teksa media në Shkup ka shkruar para disa vitesh për marrëdhëniet e tij me shërbimet ruse të zbulimit.

I ngarkuari me formimin e qeverisë, zoti Mickovski, megjithatë ka mendime pozitive për zotin Stoilkoviç, për të cilin thotë se është pro-maqedonas ndërsa thekson pritjet nga çdo anëtar i qeverisë së tij të ketë qëndrimin e njëjtë.

“Secili që del jashtë këtij shtegu, pa dallim të qëndrumeve të tjera, nuk do të jetë më pjesë e qeverisë. Maqedonia është atdheu ynë i përbashkët”, u shpreh kryeministri i ardhshëm maqedonas.

Drejtuesi socialist Lupço Dimovski do të jetë i ngarkuar me Sistemin Politik. Ai ka qenë i akuzuar për dhunën e vitit 2017 në parlament e më pas i amnistuar.

Nga koalicioni i partive shqiptare ‘Vlen’, dy drejtues partishë do të zënë vendin e ministrave në qeverinë e zotit Mickovski: Arben Taravari i njërit krah të Aleancës për Shqiptarët do të jetë ministër i Shëndetësisë, ndërsa Izet Mexhiti i Lëvizjes Demokratike do ta drejtojë ministrinë e Ekologjisë dhe do të jetë zëvendës-kryeministër i parë në qeveri. Orhan Murtezani i Alternativës do të jetë ministër për Integrime Evropiane; Besar Durmishi i Lëvizjes Besa do të jetë ministër i Ekonomisë dhe Fatmir Limani i kësaj partie ministër i Çështjeve Sociale dhe Demografisë, ndërsa Arben Fetai i krahut të zotit Taravari do të jetë i ngarkuar me drejtimin e ministrisë për Qeverisje të Mirë.

Parlamenti pritet të mblidhet të shtunën në seancë lidhur me qeverinë e re. Debati parashikohet të zgjasë më së shumti deri të dielën para mesnate.

Qeverinë e zotit Mickovki e presin shumë sfida; si në aspektin e marrëdhënieve me vendet fqinje, po ashtu edhe në rrugën drejt integrimit të vendit në BE.

XS
SM
MD
LG