Lidhje

Gjykata Penale Ndërkombëtare, urdhër-arreste për udhëheqësit izraelit, reagon Uashingtoni

FILE PHOTO: Ceremony for the 70th cohort of military combat officers, near Mitzpe Ramon
FILE PHOTO: Ceremony for the 70th cohort of military combat officers, near Mitzpe Ramon

Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi të enjten urdhër-arrest për Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ish Ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant dhe zyrtarët e Hamasit, të cilët i akuzon për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në luftën në Gazë dhe sulmin e 7 tetorit ndaj Izraelit që u bë shkas për fillimin e luftës.

Vendimi i gjykatës i shndërron Kryeministrin Netanyahu dhe të tjerët në persona të pandehur, të kërkuar ndërkombëtarisht dhe mund të shkaktojë izolimin e mëtejshëm të tyre, duke ndërlikuar përpjekjet për të negociuar armëpushimin që do t’i jepte fund luftës 13 mujore. Por ndikimi i këtij urdhër-arresti mund të jetë i kufizuar ngaqë Izraeli dhe aleati i tij kryesor, Shtete e Bashkuara nuk janë anëtarë të gjykatës dhe disa nga zyrtarët e Hamasit tashmë janë vrarë gjatë konfliktit.

“Dhoma e gjykatësve konsideron se ka bazë të mjaftueshme për të besuar se, të dy individët, qëllimisht dhe me njohuri të plotë, i kanë mohuar popullsisë civile në Gazë gjërat e domosdoshme për të mbijetuar, përfshirë ushqimin, ujin dhe ilaçet, si dhe karburantin dhe energjinë elektrike”, thuhet në vendimin unanim të panelit prej tre gjykatësish për urdhër-arrestin ndaj zotit Netanyahu dhe ish Ministrit të tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant.

Kryeministri Netanyahu dënoi urdhër-arrestin e lëshuar për të, duke thënë se Izraeli “kundërshton me neveri këto veprime absurde dhe të pavërteta”. Në një deklaratë të qarkulluar nga zyra e tij, ai shprehet se: “Nuk ka asgjë më të drejtë se lufta që Izraeli po e bën në Gazë”.

Presidenti izraelit Isaac Herzog e quajti vendimin e Gjykatës “ditë të errët për drejtësinë dhe ditë të errët për njerëzimin”.

Në një postim në rrjetin X, ai tha se gjykata ndërkombëtare “zgjodhi anën e terrorit dhe të së keqes, në vend të demokracisë dhe lirisë dhe e ka vendosur sistemin e drejtësisë në mbrojtje të krimeve të Hamasit ndaj njerëzimit”.

Gjenerali në pension, Benny Gantz, kundërshtar politik i zotit Netanyahu, gjithashtu e dënoi vendimin, duke thënë se vendimi është tregues i “verbërisë morale” dhe se është një “njollë e turpshme e përmasave historike që kurrë nuk do të harrohet”.

Ndërkaq grupi militant Hamas i mirëpriti urdhër-arrestet për Kryeministrin Netanyahu dhe ish-ministrin Gallant, por nuk i komentoi urdhër-arrestet e lëshuara ndaj drejtuesve të grupit militant.

Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi një urdhër-arresti për njërin prej drejtuesve të Hamasit, Mohammed Deif, për sulmin e 7 tetorit ndaj vendbanimeve izraelite. Kryeprokurori i kësaj gjykate tërhoqi kërkesën për urdhër-arresti për ish-drejtuesit e tjerë të Hamasit – Jahja Sinuar dhe Ismail Hanijeh, të vrarë gjatë konfliktit.

Ministria e Jashtme e Izraelit në shtator njoftoi se kishte dorëzuar argumentet ligjore që sfidojnë juridiksionin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, duke argumentuar se gjykata nuk i dha Izraelit mundësi t’i hetojë akuzat përmes institucioneve të saj, para se të lëshonte kërkesën për urdhërarrest.

“Asnjë demokraci me një sistem të pavarur dhe të respektuar të drejtësisë, siç e ka Izraeli, nuk është trajtuar kaq padrejtësisht nga Prokurori”, shkroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme izraelite Oren Marmorstein në platformën X. Ai tha se Izraeli mbetet i “palëkundur në angazhimin e tij ndaj sundimit të ligjit dhe drejtësisë” dhe se do të vazhdonte t’i mbrojë banorët e tij kundër militantizmit.

Në një reagim Presidenti amerikan Biden e cilësoi shokues vendimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për urdhër arresti kundër udhëheqësve izraelitë.

Më lejoni të jem i qartë edhe një herë: çfarëdo që mund të nënkuptojë gjykata, nuk mund të bëhet asnjë krahasim - asnjë - mes Izraelit dhe Hamasit. Ne do të qëndrojmë gjithmonë krah Izraelit kundër kërcënimeve ndaj sigurisë së tij”, shtoi presidenti Biden.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë njoftoi të enjten se 44,056 persona janë vrarë dhe 104,268 janë plagosur që nga fillimi i luftës. Autoritetet palestineze thanë se numri i të vdekurve është më i lartë, ngaqë mijëra njerëz të vdekur gjenden ende nën rrënoja, apo në zona ku nuk mund të shkojnë ekipet e emergjencave.

Ministria palestineze e Shëndetësisë nuk bën dallimin ndërmjet civilëve dhe militantëve në numrin e përgjithshëm të viktimave, por thotë se mbi gjysma e të vdekurve janë gra dhe fëmijë. Ushtria izraelite thotë se ka vrarë mbi 17 mijë militantë, por nuk ka dhënë prova për këtë shifër.

This item is part of
XS
SM
MD
LG