Lidhje

SHBA, Partia Demokrate planifikon të zgjedhë kryetarin e ri pas inaugurimit të Presidentit Trump

Drejtuesi i Komisionit Kombëtar Demokrat i njoftoi udhëheqësit e Partisë Demokrate të hënën se kjo parti do të zgjedhë pasardhësin e tij në muajin shkurt.

Këto zgjedhje do të jenë shumë domethënëse për të ardhmen e partisë dhe drejtimin e saj gjatë katër viteve të ardhshme me Presidentin e zgjedhur republikan Donald Trump të rikthyer në Shtëpinë e Bardhë.

Në një letër drejtuar anëtarëve të Komisionit të Rregullave dhe Rregulloreve të partisë, kryetari aktual, Jaime Harrison detajoi hapat se si kjo parti do të zgjedhë drejtuesin e saj të ri. Ai tha se komisioni do të organizojë katër takime me kandidatët – disa takime fizike dhe disa virtuale – gjatë muajit janar, ndërsa zgjedhjet brenda partisë do të mbahen me 1 shkurt gjatë takimit dimëror të partisë.

Gara për drejtuesin e ri të Komitetit Kombëtar Demokrat, ndonëse është një zhvillim i brendshëm partiak, vjen vetëm disa ditë pas inaugurimit të Presidentit Trump për një mandat të dytë. Zgjedhja e udhëheqësit nga radhët e demokratëve pas humbjes së kandidates demokrate Kamala Harris do të jetë një moment i rëndësishëm ndërkohë që partia bën ndryshimet për t’iu dhënë përgjigje problemeve strukturore dhe përcakton se si të bëjë opozitë ndaj zotit Trump.

Anëtarët e Komisionit të Rregullave dhe Rregulloreve do të takohen me 12 dhjetor për të përcaktuar rregullat e këtyre zgjedhjeve, të cilat përveç pozitës së kryetarit përfshijnë edhe rolet e tjera siç janë postet e nënkryetarëve, arkëtarit, sekretarit të partisë dhe shefin e financave. Gjatë këtij takimi, komisioni gjithashtu do të përcaktojë kriteret për këto pozita kyçe të partisë.

“Komiteti Kombëtar Demokrat është i angazhuar për zgjedhje transparente, mbi parimin e barazisë dhe paanshmërisë për një gjeneratë të re udhëheqësish që do ta çojë partinë përpara”, deklaroi zoti Harrison përmes një komunikate.

Dy demokratë kanë filluar garën për postin e kryetarit: Ken Martin, drejtues i demokratëve nga Minesota dhe Martin O’Malley, ish guvernatori i Merilendit.

Demokratët e tjerë që po shqyrtojnë mundësinë për të hyrë në garë përfshijnë ligjvënësin demokrat nga Teksasi, Beto O’Rourke, ish nënkryetarin e partisë Michael Blake, kryetarin e degës së partisë në Viskonsin, Ben Wikler, ambasadorin amerikan në Japoni dhe ish-kryebashkiak i Çikagos, Rahm Emanuel, kryetare e shumicës demokrate në Senatin e Miçiganit, Senatoren Mallory McMorrow dhe këshilltarin demokrat me përvojë, Chuck Rocha.

Drejtuesi i ardhshëm i Komisionit do të ketë përgjegjësinë për rimobolizmin e partisë së demoralizuar nga fitorja e dytë e zotit Trump. Zyrtarët e rinj do të jetë përgjegjës për të mbikëqyrur ecurinë e procesit të emërimit të kandidatit presidencial për zgjedhjet e vitit 2028.

Në letrën drejtuar Komitetit, kryesuesi i tanishëm Harrison nga Karolina e Jugut tha se katër takimet e partisë do të transmetohen drejtpërdrejt dhe partia do t’u japë mundësi demokratëve nga i gjithë vendi të marrin pjesë në proces përmes këtyre ngjarjeve. Ai tha se synon të mbajë një qëndrim neutral gjatë zgjedhjeve të brendshme.

This item is part of
XS
SM
MD
LG