Lidhje

Hamasi publikon videon e një pengu izraelito-amerikan

Fotografia e pengut Edan Alexander shfaqet në një bluzë të veshur nga gjyshja e tij
Fotografia e pengut Edan Alexander shfaqet në një bluzë të veshur nga gjyshja e tij

JERUZALEM – Grupi militant palestinez Hamas ka publikuar të shtunën videon e një pengu izraelito-amerikan, ku ai i bën thirrje Presidentit të zgjedhur Donald Trump që të arrijë lirimin e tij nga robëria.

Familjarët e ushtarakut 20-vjeçar Edan Alexander nuk pranuan të komentojnë, por ranë dakord për publikimin e videos që zgjat tre minuta e gjysëm. Zoti Alexander u mor peng në Gazë gjatë sulmit të 7 tetorit 2023 nga Hamasi në Izraelin jugor.

Në video, ai shfaqet i zbehtë, i ulur në një hapësirë të errët me një mur pas tij. Pasi identifikon veten, ai i drejtohet familjes së tij, Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe Presidentit të zgjedhur Trump. Nuk është e qartë nëse komentet e tij ishin të parapërgatitura nga pengmarrësit.

Kryeministri Netanyahu u shpreh në një deklaratë se videoja ishte një mjet mizor i luftës psikologjike dhe se i ka thënë familjes së zotit Alexander nëpërmjet telefonit se Izraeli po punon pa u ndalur për të rikthyer pengjet në atdhe.

Rreth gjysma e 101 personave që ende mbahen peng në Gazë dhe prej të cilëve nuk ka patur ndonjë komunikim, mendohet se vazhdojnë të jenë të gjallë.

Udhëheqësit e Hamasit pritej të qëndronin në Kajro të shtunën për bisedime armëpushimi me zyrtarët egjiptianë, për të eksploruar mënyrat për të arritur një marrëveshje që do të arrinte lirimin e pengjeve, në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë.

Kontaktet rifilluan pasi Uashingtoni tha këtë javë se po ripërtërinte përpjekjet drejt arritjes së këtij objektivi.

Forumi i Familjeve të Pengjeve i bëri thirrje administratës së Presidentit në largim Joe Biden dhe të Presidentit të zgjedhur Donald Trump, i cili e merr detyrën në janar, të shtojnë përpjekjet për të arritur një marrëveshje për lirimin e pengjeve.

“Jetët e pengjeve varen nga një fije peri”, u shprehën anëtarët e familjeve të pengjeve.

Sipas zyrtarëve në Gazë, fushata e Izraelit ka vrarë të paktën 44,200 persona dhe ka zhvendosur gati të gjithë popullsinë të paktën një herë.

Lufta u shkaktua nga militantët e Hamasit, të cilët sulmuan komunitetet në jug të Izraelit 13 muaj më parë. Sipas autoriteteve izraelite, ata vranë 1,200 persona dhe morën peng mbi 250 të tjerë.

This item is part of
XS
SM
MD
LG