Lidhje

Donald Trump bëhet presidenti i 47 i Shteteve të Bashkuara


President-elect Donald Trump takes the oath of office during the 60th Presidential Inauguration in the Rotunda of the U.S. Capitol in Washington, Jan. 20, 2025.
President-elect Donald Trump takes the oath of office during the 60th Presidential Inauguration in the Rotunda of the U.S. Capitol in Washington, Jan. 20, 2025.

Republikani Donald Trump u inaugurua sërish të hënën si presidenti i 47-të i Shteteve të Shteteve të Bashkuara, duke bërë thirrje për një "revolucion të arsyes" dhe duke u zotuar të urdhërojë shpejt ndryshime gjithëpërfshirëse të politikave, duke përfshirë dëbimin në vendet e tyre të origjinës të miliona emigrantëve pa dokumente, që jetojnë në Shtetet e Bashkuara.

“Epoka e artë e Amerikës fillon që tani”, deklaroi Presidenti Trump në fjalimin e tij inaugurues, që zgjati rreth 30 minuta. “Që nga ky moment, rënia e Amerikës ka përfunduar. Ne do ta çojmë atë drejt majave të reja të fitores dhe suksesit. Nuk ka asnjë ëndërr që nuk mund ta realizojmë. Ne nuk do të thyhemi. Ne nuk do të dështojmë.

“Kthehem në presidencë i sigurt dhe optimist se jemi në fillimin e një epoke të re emocionuese të suksesit kombëtar. Një valë ndryshimi po përfshin vendin”, tha Trump para një turme prej rreth 600 personash në ndërtesën e Kongresit amerikan dhe miliona njerëzve në mbarë vendin, që ndoqën fjalimin në transmetimet televizive.

“Mesazhi im për amerikanët sot është se është koha që ne të veprojmë edhe një herë me guxim, energji dhe vitalitet të qytetërimit më të madh në histori”, tha ai.

Fjalimi i Presidentit Donald Trump në ceremoninë e inaugurimit
please wait

No media source currently available

0:00 0:30:32 0:00

Donald Trump, 78 vjeç, ishte presidenti i 45-të i vendit dhe vetëm i dyti pas ish Presidentit Grover Cleveland në vitet 1890 që shërbeu për një mandat të dytë jo të njëpasnjëshëm. Me inaugurimin e Presidentit Trump, Presidenti demokrat Joe Biden largohet nga posti pas një mandati të vetëm katërvjeçar në Shtëpinë e Bardhë.

Në fjalimin e tij, Presidenti Trump u zotua të përmbushë shpejt një numër premtimesh të fushatës së zgjedhjeve të vitit 2024, duke përmendur faktin se ai fitoi në shtatë shtetet përcaktuese të garës presidenciale, duke mposhtur rivalen e tij demokrate, ish-Nënpresidenten Kamala Harris.

Presidenti Trump tha se do të "shpall një emergjencë kombëtare", do të mbyll kufirin jugperëndimor të Shteteve të Bashkuara me Meksikën për të frenuar fluksin e mijëra emigrantëve që po përpiqen të hyjnë në Shtetet e Bashkuara, shumica e të cilëve po përpiqen t'i shpëtojnë varfërisë, krimit dhe papunësisë në vendet e Amerikës Qendrore dhe gjetkë.

Presidenti Trump tha se do të rikthente në fuqi politikën e "qëndrimit në Meksikë" për emigrantët që kërkojnë azil në Shtetet e Bashkuara dhe do t'i jepte fund politikës së ndalimit të emigrantëve të tjerë në kufirin e Shteteve të Bashkuara dhe më pas lirimit të tyre për të jetuar në Shtetet e Bashkuara, ndërsa ata presin vendimin e gjykatave për kërkesat e tyre të azilit, një proces që mund të zgjasë me muaj, madje edhe vite.

Ai tha se do t'i shpallte kartelet meksikane të drogës organizata "të huaja terroriste", megjithëse nuk dha hollësi të tjera mbi masat që do të ndërmerreshin ndaj tyre.

Në frontin e brendshëm, ai tha se do të shpallte një "emergjencë kombëtare për çështjen e energjisë", edhe pse prodhimi është tashmë në një nivel rekord.

"Ne do të bëjmë shpime të reja për nxjerrje të naftës dhe produkteve të tjera", deklaroi ai prerazi.

Presidenti Trump tha se do t'i jepte fund politikave të zotit Biden për të rritur prodhimin dhe shitjen e makinave elektrike, duke ndryshuar gjithashtu politikat tregtare të Shteteve të Bashkuara, përfshirë vendosjen e tarifave të reja ndaj partnerëve kryesorë tregtarë, si Kanadaja, Meksika dhe Kina.

"Ëndrra amerikane së shpejti do të përparojë si kurrë më parë", tha ai. "Ne do të krijojmë një shoqëri të drejtë dhe të bazuar në merita."

Ashtu si në një tubim të fushatës vitin e kaluar kur zoti Biden ishte ende në garën presidenciale përpara se të largohej dhe të mbështeste kandidaturën e zonjës Harris, Presidenti Trump sulmoi punën e paraardhësit të tij, i cili ishte ulur pas tij në një distancë të shkurtër.

"Tani kemi një qeveri që nuk mund të menaxhojë as një krizë të thjeshtë në vend", tha zoti Trump, "ndërsa në të njëjtën kohë ka bërë një numër gabimesh të vazhdueshme në ngjarjet katastrofike jashtë vendit. Ai dështon të mbrojë qytetarët tanë të mrekullueshëm amerikanë që respektojnë ligjin, por ofron strehë dhe mbrojtje për kriminelët e rrezikshëm, shumë nga burgjet dhe institucionet mendore që kanë hyrë ilegalisht në vendin tonë nga e gjithë bota.”

Trump, i shoqëruar nga gruaja e tij Melania, Nënpresidenti JD Vance dhe familjet e tyre, filloi ditën e tij të dytë të inaugurimit tetë vjet pas të parës duke marrë pjesë në një shërbim tradicional për presidentët e ardhshëm në Kishën Episkopale të Shën Gjonit përballë Shtëpisë së Bardhë.

Më pas, çifti Trump u drejtua për në Shtëpinë e Bardhë për një takim para inaugurimit me zotin Biden dhe zonjën e parë Jill Biden, përpara se të niseshin për në Kapitol për ceremoninë e betimit.

Donald Trump është personi me moshën më madhore në historinë e Shteteve të Bashkuara në ditën e inaugurimit si president i vendit, duke tejkaluar demokratin Joe Biden, i cili ishte pesë muaj më i ri kur bëri betimin katër vjet më parë. Në moshën 49 vjeçare, JD Vance u bë një nga tre një nga tre personat më të rinj që marrin postin e Nënpresidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ish senator inga Ohajo u bë Nënpresidenti i 50-të i Shteteve të Bashkuara.

Donald Trump është gjithashtu Presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara, i shpallur fajtor nga një juri për 34 akuza penale nga një juri në Nju Jork lidhur me falsifikimin e të dhënave të biznesit. Megjithatë, gjykatësi nuk i ka dhënë atij asnjë lloj dënimi për këto akuza, duke e liruar atë pa kushte.

Akuzat se zoti Trump u përpoq të përmbyste në mënyrë të paligjshme humbjen në zgjedhjet e vitit 2020 ndaj demokratit Bidenit, u tërhoqën për shkak të një politike të gjatë të Departamentit të Drejtësisë kundër ndjekjes penale të presidentëve në detyrë.

Inaugurimet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, një simbol i normave demokratike të tranzicionit paqësor të pushtetit në vend, mbahen tradicionalisht në shkallët e Kapitolit.

Por temperaturat tepër të ulëta që kanë përfshirë Uashingtonin, detyruan zotin Trump ditë më parë të zhvendoste ceremoninë brenda Kapitolit, ku 2,000 nga mbështetësit e tij hynë me forcë në vitin 2021 për të penguar Kongresin që të miratonte fitoren e demokratit Biden në vitin 2020.

Elon Musk
Elon Musk

Në ceremoninë e inaugurimit ishin të pranishëm disa miliarderë amerikanë, përfshirë drejtuesin e kompanisë Amazon Jeff Bezos, atë të kompanisë Meta Mark Zuckerberg dhe drejtuesin e kompanisë Tesla Elon Musk. Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe shefi ekzekutiv i kompanisë TikTok, Shou Zi Chew.

Giorgia Meloni
Giorgia Meloni

Ceremoninë e ndoqën edhe personalitete të huaja, duke përfshirë Nënpresidentin kinez Han Zheng, Kryeministren italiane Giorgia Meloni, Presidentin e Argjentinës Javier Milei dhe Presidentin e Ekuadorit Daniel Noboa.

Ish Presidentët amerikanë Bill Clinton, George W. Bush dhe Barack Obama morën pjesë në ceremoni, ndryshe nga zoti Trump, i cili nuk mori pjesën në ceremoninë e betimit të zotit Biden katër vjet më parë dhe vazhdon të pretendojë në mënyrë të rreme se ai zgjedhjet e vitit 2020 ishin manipuluar.

Presidenti Trump sinjalizoi se ai do të fillonte menjëherë të ndryshonte politikat e Shteteve të Bashkuara, përfshirë anulimin e urdhrave ekzekutivë të parardhësit të tij Joe Biden. Ai mund të nënshkruajë disa urdhra ekzekutivë në orët e para të presidencës së tij të re ose më vonë këtë javë.

Presidenti Trump gjithashtu ka premtuar të falë shumë nga 1,500 mbështetësit e tij që hynë me forcë në Kapitol më 6 janar 2021. Ai nuk e përmendi këtë çështje në fjalimin e tij inaugurues.

Parakalimi tradicional i inaugurimit përgjatë rrugës Pensilvania nga Kapitoli në Shtëpinë e Bardhë është anuluar gjithashtu për shkak të motit. Presidenti Trump dhe zonja Trump do të shfaqen më pak se tre kilometra larg Kapitolit në një pallat sporti dhe koncertesh me kapacitet prej 20,000 personash për të përshëndetur mbështetësit e tyre.

XS
SM
MD
LG