Lidhje

Bashkëdrejtuesi i fushatës së presidentit Trump do të udhëheqë fushatën e opozitës shqiptare

Sali Berisha dhe Chris LaCivita
Sali Berisha dhe Chris LaCivita

Bashkëdrejtuesi i fushatës së fundit zgjedhore të Presidentit amerikan Donald Trump, Chris LaCivita, do të marrë përsipër dhe fushatën e opozitës shqiptare për zgjedhjet politike të 11 majit. Zoti LaCivita, u prezantua të hënën nga kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, në prani dhe të drejtuesve dhe përfaqësuesve të partive të tjera opozitare.

“Në përzgjedhjen e zotit Chris LaCivita për të drejtuar fushatën e fitores së PD, unë jam i sigurt se ka ndikuar fakti se PD dhe opozita shqiptare, përballë shantazheve dhe presioneve të jashtëzakonshme për zhdukjen e tyre, qëndruan të pamposhtura në mbrojtjen e vlerave dhe parimeve që konservatorët ndajnë në të gjithë botën. Dhe mbi të gjitha, programi aktual i PD dhe opozitës është një program i shkëlqyer për të shpëtuar Shqipërinë”, u shpreh zoti Berisha duke i mëshuar afërsisë së partisë së tij me Partinë Republikane.

Nga ana e tij, zoti LaCivita duke e cilësuar Kryeministrin shqiptar Edi Rama si një vegël të Xhorxh Sorosit u shpreh se “nuk mund të jesh edhe kukull e Soros-it dhe mik i SHBA-ve, kjo nuk është e mundur. Familja e Sorosit ka humbur ndikimin e vet në Uashington dhe në mbarë botën dhe Berisha është një mik i vjetër dhe i vërtetë i SHBA-së”.

Ai deklaroi se “ne jemi sot këtu sepse dëshirojmë të zgjedhim një kryeministër që është një mik i vërtetë i SHBA, i cili do të punojë në mënyrë të suksesshme me Presidentin Trump dhe me SHBA-të”.

Sipas tij “njësoj si populli amerikan edhe ai shqiptar, kërkon dhe ka nevojë për më shumë nga qeveria e vet. Këto rrethana të ngjashme, janë ato që na bashkuan, na sollën sot ne këtu, se ne e dimë që Berisha mund të fitojë”.

Zoti LaCivita, hoqi paralele mes situatës që i parapriu zgjedhjes së Presidentit Trump dhe asaj në të cilën gjendet opozita në Shqipëri. “Berisha njësoj si Donald Trump-i dhe si shumë anëtarë të opozitës, në mënyrë të padrejtë janë ndjekur penalisht dhe janë persekutuar nga një qeveri e cila nuk respekton demokracinë. Aleatët e tij dhe udhëheqësit e opozitës, po futen në burg, po mbahen në arrest shtëpie dhe po frikësohen. Ne jemi këtu për të ndihmuar që ti japim fund kësaj”, deklaroi ai.

This item is part of
XS
SM
MD
LG