Një shpërthim i fuqishëm të premten në mëngjes në një treg në Pakistanin jugperëndimor, la pas vetes të paktën 18 të vrarë dhe 48 të tjerë të plagosur.
Zyrtarët e policisë thanë se bomba ishte vendosur në një dyqan në zonën e dominuar nga myslimanët shiit në Quetta, kryeqytet i krahinës së Baluchistanit dhe në mesin e viktimave ka pjesëtarë të një pakice kombëtare.
Razzaq Cheema, zëvendës i inspektorit të përgjithshëm të policisë, tha se kanë filluar hetimet për të ndriçuar motivet e sulmit.
Askush nuk e mori ende përgjegjësinë për sulmin në zonën e tregut Hazarganji, i cili është përballur me sulme edhe në të kaluarën.
Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, e dënoi sulmin e së premtes.
Militantët separatiste të Baluchistanit dhe ekstremistët besnikë të talebanëve dhe të Shtetit Islamik, janë aktiv në Baluchistan. Ata rëndom marrin përsipër përgjegjësinë për sulme mbi forcat e sigurisë dhe civilët, përfshirë edhe komunitetin hazara. Krahina kufizohet me Afganistanin dhe pretendohet se është strehë e luftëtarëve të lidhur me talebanët afganë.
Facebook Forum