Lidhje

Irak: Incidente të reja me dhunë


Katër shpërthime bombash në Bagdat lanë 24 persona të vrarë. Shpërthimet kishin kryesisht si objektiv besimtarët shi’itë ndërsa ata po festojnë një prej datave më të shënuara të besimit të tyre.

Shpërthimi i parë vetë-vrasës ishte edhe më vdekjeprurësi. Një person që kishte vendosur lëndë shpërthyese rreth trupi e hodhi veten në erë në afërsi të xhamisë shi’ite np lagjen Dora të Bagdatit. Nga shpërthimi gjetën vdekjen 15 persona. Në sulmin e dytë, dy shpërthime vetë-vrasëse vunë në shënjestër një xhami tjetër shi’ite në perëndim të Bagdatit.

Policia irakiane dhe ushtria amerikane thonë se rrojet irakiane jashtë xhamisë identifikuan një prej personave para se ai të hynte në ndërtesë dhe e qëlluan. Lënda shpërthyese që ai kishte në trup shpërtheu dhe sipas një njoftimi të ushtrisë, një person i dytë hodhi veten në erë rreth 100 metra më tej pas disa minutash. Njoftimet venë në dukje se numri i viktimave do të kishte qënë i madh në se ndonjeri prej tyre do të kishte arritur të hynte në xhami.

Një shpërthim i tretë ndodhi mes një grupi besimtarësh që ishin mbledhur për festën e Ashures. Ky është një muaj i shenjtë për besimtarët shi’itë dhe momenti kulmor i Ashures është nesër, kur shi’itët përkujtojnë përvjetorin e vdekjes së Imam Huseinit, nipit të Profetit Muhamed. Vitin e kaluar gjatë ceremonive përkujtimore me rastin e Ashures, pati disa shpërthime bombash të fuqishme pranë besimtarëve shi’itë në Bagdat dhe në qytetin e shenjtë të Qerbelasë, që shkaktuan 170 viktima.

Sulmi i katërt i ditës së sotme dukej se drejtohej kundër forcave irakiane të sigurimit në një pikë-kontrolli policore në një lagje kryesisht suni të Bagdatit.

Seria e shpërthimeve shkaktoi dhjetra të plagosur duke mbingarkuar spitalet e Bagdatit. Banorë të mbërthyer nga paniku filluan të kërkojnë në spitale për të afërmit e tyre. Në zhvillimet e tjera sot, qeveria e Indonezisë tha se dy gazetarë të një rrjeti televiziv u zhdukën në afërsi të qytetit Ramadai në perëndim të Bagdatit. Por njoftimi zyrtar nuk thoshte që ata janë rërmbyer. Për herë të fundit, gazetarja dhe kameramani janë parë ditën e martë.

XS
SM
MD
LG