Lidhje

Irani dhe Rusia nënshkruajnë marrëveshje bërthamore


Rusia dhe Irani nënshkruan një marrëveshje historike sipas së cilës Moska do ta furnizojë Teheranin me lëndë djegëse për reaktorin e tij të parë bërthamor.

Nënshkrimi i marrëveshjes u bë sot në uzinën bërthamore Bushehr të Iranit, të ndërtuar me ndihmën ruse. Ajo ishte shtyrë 24 orë ndërkohë që vazhdonin bisedimet.

Zyrtarët evropianë dhe amerikanë kanë shprehur shqetësim se lënda djegëse e konsumuar e reaktorit mund të pasurohet dhe të përdoret për krijimin e armëve bërthamore. Diplomatët thonë se ka prova sipas të cilave që prej viteve 80 Teherani ka njohuri se si bëhet pasurimi i uraniumit. Ata thonë se Irani i ka marrë informacione të tilla nga një rrjet në tregun e zi, i drejtuar nga shpkencëtari pakistanez Abdul Kadir Khan.

Irani thotë se qëllimi i programit të tij bërthamor është prodhimi i energjisë elektrike dhe jo zhvillimik i armëve bërthamore. Marrëveshja e re përcakton se e gjithë lënda djegëse e konsumuar do të kthehet në Rusi për të zbutur shqetësimet se Irani mund ta përpunojë atë dhe ta përdorë për armë bërthamore.

XS
SM
MD
LG