Lidhje

Italianët i bëjnë nderimet e fundit oficerit të vrarë në Irak


Mijëra italianë po i bëjnë sot nderimet e fundit oficerit italian të sigurimit që u vra të premten në Irak, ndërkohë që Xhuliana Sgrena, gazetarja italiane e plagosur nga trupat amerikane në Irak pas lirimit nga kryengritësit që e mbanin peng, po jep hollësi të reja, që ngarkojnë me përgjegjësi Shtetet e Bashkuara për vrasjen. Trupi i Nicola Caliparit, që po nderohet si hero i kombit, qëndron i ekspozuar në Romë dhe funerali i tij do të zhvillohet nesër.

Shtëpia e Bardhë e quajti sot vdekjen e Caliparit një aksident të tmerrshëm dhe premtoi përsëri se do të zhvillohen hetime të plota. Ushtria amerikane tha se makina me të cilën po udhëtonte zonjusha Sgrena po ikte me shpejtësi në drejtim të një pike kontrolli dhe nuk i përfilli sinjalet paralajmëruese, pas lirimit të saj ditën e premte nga kryengritësit në Irak. Por ajo tha në një intervistë për shtypin italian se makina nuk po ecte me shpjetësi dhe se ajo nuk kishte parë ndonjë dritë, apo sinjal të ndezur.

Por zonja Sgrena mendon që ushtarët amerikanë u përpoqën ta vrasin, kur qëlluan mbi makinën e saj, ngaqë Shtetet e Bashkuara janë kundër idesë së negocimit me rrëmbyesit. Ministri italian i Bujqësisë tha se ka mundësi që për lirimin e zonjës Sgrena të jetë paguar një shpërblim, por nuk ka patur ndonjë konfirmim zyrtar për këtë çështje. Gazeta e zonjës Sgrena, e përditëshmja komuniste ”Il Manifesto”, e kundërshton dislokimin e forcave italiane në Irak. Presidenti Bush dhe Sekretari amerikan i Mbrojtjes Donlad Rumsfeld kanë shprehur me telefon ngushëllimet për oficerin e vrarë dhe kanë premtuar se do të zhvillohet një hetim i plotë lidhur me incidentin.

XS
SM
MD
LG