Lidhje

Kadare: Kosova po e kthen një gjendje të disfavorshme dhe të pakëndshme në të mirën e saj


Shkrimtari i shquar Ismail Kadare në një intervistë për Zërin e Amerikës, jep mendimet e tij për gjendjen në Kosovë pas dorëzimit të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj në Gjykatën e Kombeve të Bashkuara për Krimet e Luftës.

Zëri i Amerikës: Zoti Kadare, çfarë ndikimi mendoni se do të ketë për zhvillimet e këtij viti në Kosovë ngritja e akuzave ndaj zotit Haradinaj dhe mënyra si iu përgjigj ai Gjykatës së Hagës?

Ismail Kadare: Kjo ngjarje e fundit, pavarësisht se është krejt e pakëndshme, i jep rast popullit të Kosovës për të treguar pjekuri, gjakftohtësi dhe ndërgjegje të lartë demokratike. Me fjalë të tjera tregoi se është një popull që meriton të jetë brenda familjes evropiane me të gjitha të drejtat dhe dinjitetin që kanë kombet në këtë kontinent. Mendimi im ka qënë edhe më parë që shqiptarëve nuk u lejohen më gabime në Kosovë, ashtu siç nuk u lejohen më gabime në Shqipëri. Në këtë rast gabimi i pafalshëm do të ishte që ky incident të pritej me nervozizëm, me gjaknxehtësi, me sentimentalizëm, e, aq më keq, të pritej me trazira, ose me acarim kundër pakicës serbe dhe forcave ndërkombëtare. Kjo gjë do të ishte vërtetë një dëmtim i rëndë i lirisë së Kosovës dhe i pavarësisë së saj. Asnjë veprim i pamatur që prek lirinë e Kosovës nuk lejohet nga kurfarë motivesh. Zoti Haradinaj, me dorëheqjen e tij të menjëhershme dhe me nisjen e menjëhershme për në Hagë dha një shembull qytetarie që e nderon atë vetë dhe qeverinë që kryeson. Ne e dimë se si kanë shkuar të tjerët në Hagë. Një pjesë kanë shkuar me pranga, një pjesë i kanë zvarrisur, për të mos përmendur disa që nuk janë paraqitur ende atje. Por kjo është e pamjaftueshme. Këtë shembull gjakftohtësie duhet ta ndjekë gjithë populli i Kosovës e sidomos klasa politike të saj.

Zëri i Amerikës: Në periudhën që çoi deri në ngritjen e aktpadisë ndaj zotit Haradinaj ishte thënë shpesh nga analistët se, në rast se aktpadia do të ngrihej, Kosova do të përballej me dy sfida serioze: e para, si do të pritej ngritja e akt-padisë dhe dorëzimi i tij në Hagë, që, siç u shprehët ju, Kosova e priti me gjakftohtësi, dhe elementi i dytë, po kaq i rëndësishëm, është se çfarë do të bëjë tani klasa politike shqiptare për ta kapërcyer këtë moment, ndoshta mund të mos e quajmë ende krizë politike, por këtë moment boshllëku politik. A mendoni se klasa politike në Kosovë do të jetë në gjendje ta përballojë me sukses situatën e re në politikën e brendshme, në kushtet e përçarjeve që ekzistojnë tashme mes tyre?

Ismail Kadare: Për të parën, për profecitë që u bënë që në Kosovë do të ketë turbullira, unë shoh në këto profeci ogurzeza një mosbesim të hapur që shfaqet për shqiptarët e Kosovës. Bile do të thosha, disa herë nga disa rrethe të caktuara, jo nga të gjithë natyrisht, është edhe një lloj sugjerimi, një lloj propozimi që u bëhet në mënyrë të tërthortë që kjo duhet të ndodhë tani, që ju duhet të bëni trazira, ashtu siç bëtë vitin që shkoi, në mars dhe në këtë mënyrë do të varrosej çdo ditë liria e Kosovës. Në këtë qëndrim gjakftohtë që mbajti Kosova, i theu këto profeci të errëta dhe vërtetë e ktheu këtë gjendje krejtësisht të disfavorshme dhe të pakëndshme, po e kthen dhe do ta kthejë, në se vazhdon me ketë stil, në të mirën e saj. Përsa i përket klasës politike shqiptare në Kosovë, ajo duhet ta përballojë këtë gjë, të zhvishet nga sentimentalizmi i tepruar, që, për fat të keq, na karakterizon disa herë ne shqiptarëve, sidomos kur është fjala për atë koceptin e besnikërisë ndaj dikujt, ndaj shokëve, ndaj një klani politik, ndaj një partie, domethënë duhet të shikojë në radhë të parë interesin e vendit dhe ajo duhet ta kapërcejë këtë gjë. Unë besoj se do ta kapërcejë, pasi hapi i parë, shembulli i parë u dha dje dhe sot dhe unë kam besim se duhet të tregojë se është një klasë politike qytetare, në kuptimin më të thellë të kësaj fjale. Gjyqi ndërkombëtar i Hagës është një gjyq i botës demokratike, nuk është një gjyq i huaj për ne, nuk duhet ta konsiderojmë një gjyq armiqësor. Ky gjyq deri tani nuk ka dënuar ndonjë njeri të pafajshëm. Duke patur besim tek ky gjyq, populli i Kosovës dhe klasa politike e Kosovës do të shpallin besimin e tyre në parimet e larta universale të demokracisë. Prandaj këtu nuk ka vend mendoj unë për ligështim, për askënd, as për popullin e Kosovës, as për klasën politike, pasi ky incident është një provë e madhe dhe prova mund të kthehet për të mirë, ose për të keq. Ky incident i trajtuar gabim do të kthehej në një faktor të dëmshëm për Kosovën, por ky incident, i trajtuar siç duhet, jo vetëm nuk e dobëson Kosovën, lirinë e Kosovës, por përkundrazi mund ta forcoj atë. Unë në këtë të fundit shpresoj.

XS
SM
MD
LG