Lidhje

UNMIK-u i gatshëm për të dhënë garanci për lirimin me kusht të ish-kryeministrit Haradinaj


Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë do të ofrojë garanci nëse i kërkohen për lirimin me kusht të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj nga gjykata e Hagës. Kryeadministratori ndërkombëtar i Kosovës Soren-Jessen Petersen konfirmoi gjithashtu sot se nuk do të pranojë ofertën për një post të lartë në komisariatin e lartë të Kombeve të Bashkuara për refugjatë, duke thënë se puna e tij në Kosovë është tani më e rëndësishme se kurrë.

Kryeadministratori ndërkombëtar i Kosovë Sorren-Jessen Petersen, konfirmoi sot se misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë është i gatshëm të ofrojë garanci nëse ish-kryeministrit Ramush Haradinaj i ofrohet mundësia të mbrohet në liri.

“Nëse na kërkohet të japim garanci për një lirim me kusht të zotit Haradinaj, për kthim të tij në Kosovë, ne do t’i japim ato garanci”, tha zoti Petersen.

Ai theksoi se Kosova ka bërë një hap gjigand përpara me vendimin e zotit Haradinaj për të shkuar vullnetarisht në Hagë dhe me qëndrimin dinjitoz të qytetarëve të saj.

Kryeadministratori pohoi se qeveria e vendit të tij i ka ofruar një post të lartë në komisariatin e lartë të Kombeve të Bashkuara për refugjatët, por ai nuk e ka pranuar duke thënë se ka një punë për të bërë në Kosovë.

“Unë jam këtu, jam këtu për të bërë një punë në Kosovë, e konsideroj këtë punë më të rëndësishme se kurrë, jam shumë i angazhuar për këtë punë, duke vazhduar atë punë që nisi Ramush Haradinaj”, tha zoti Petersen.

Kryeadministratori theksoi se largimi i ish-kryeministrit për në Hagë nuk do t’i ngadalësojë proceset në Kosovë. Ai e quajti sakrificë largimin e zotit Haradinaj për në Hagë dhe theksoi se sakrifica e tij do të tradhëtohej nëse nuk do të vazhdohej me punën e nisur, vecanërisht me plotësimin e standarteve të vëna nga bashkësia ndërkombëtare.

Zoti Petersen u takua sot me udhëheqës vendorë në Pejë, Gjakovë, Decan dhe Suharekë, ai vizitoi gjithashtu manastirin e Decanit ku u takua me klerikun e lartë serb, atin Sava. Kleriku i lartë serb theksoi se më e rëndësishme tani është që të mbizotërojë paqja, që të punohet për të krijuar kushte normale jetese për të gjithë në Kosovë.

“Por sigurisht duhet të punojmë për këtë, të bëjmë më të mirën që Kosova të bëhet një shoqëri më tolerante. Manastiri ynë është i gatshëm që të ndihmojë sa më shumë që të mundet, për t’iu bashkangjitur bashkësisë së kulturave në Kosovë, bashkësisë së etnive këtu, por do të donim që komuniteti shumicë të vazhdojë të tregojë respekt për këtë vend të shenjtë, që është i rëndësishëm jo vetëm për ne që jetojmë këtu si qytetarë të Kosovës, por edhe për gjithë botën”.

Zoti Petersen është mbështetur në punën e tij nga grupi i pesë vendeve më me ndikim në Kosovë, Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Gjermania, Italia dhe Franca, të cilat në një njoftim të nxjerrë nga zyra amerikane në Prishtinë, hodhën poshtë raportet e televizionit Koha dhe gazetës Koha Ditore, të cilat patën thënë se zoti Petersen ishte kritikuar nga grupi i këtyre vendeve sepse e kishte quajtur ish-kryeministrin Haradinaj, një mik.

Grupi i pesëshes theksoi se mohojnë fuqishëm gjithcka në këto raporte që lënë të kuptohet ndryshe. Po kështu, bashkërenduesi i avokatëve të ish-kryeministrit Haradinaj, Michael O’Reilly, ka reaguar ndaj akt-akuzave ndaj zotit Haradinaj, duke thënë se ajo është një përmbledhje njëzet-faqëshe gënjeshtrash.

“Një studim i përafërt i aktakuzës tregon se ajo nuk është gjë tjetër vecse një koleksion i pohimeve të marrura drejtpërdrejtë nga dosjet serbe. Akuzat kundër Ramush Haradinajt nuk kanë as kredibilitet ligjor e as kredibilitet faktual,” ka thënë zoti O’Reilly.

Zoti Haradinaj pritet të dalë më 14 mars për herë të parë para një gjykatësi të Hagës, që nga koha kur u dorëzua vullnetarisht atje.

XS
SM
MD
LG