Lidhje

Kina miraton ligj përpërdorimin e forcës për të penguar shkëputjen e Tajvanit


Kongresi Kombëtar i Popullit në Kinë miratoi një ligj që ka si qëllim të përligjë politikën e Republikës Popullore të Kinës për Taivanin. Ndërsa ky ligj kundër shkëputjes thekson se Kina do të bëjë të gjitha përpjekjet për ribashkimin paqësor mes Kinës dhe Taivanit, ai autorizon gjithashtu përdorimin e mjeteve “jopaqësore”, nëse Taivani përpiqet të shkëputet nga Kina, në çfarëdolloj rrethane.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Scott McClellan, tha se megjithëse Shtetet e Bashkuara mbështesin politikën për një Kinë të vetme dhe nuk përkrahin pavarësinë e Taivanit, ato nuk janë dakord me ligjin kinez. “Ne e konsiderojmë ligjin kundër shkëputjes si diçka për të ardhur keq dhe që nuk ndihmon inkurajimin e paqes dhe stabilitetit në Ngushticën e Taivanit. Ne vazhdojmë të nxisinm dialogun mes Kinës dhe Taivanit. Ne besojmë se është e rëndësishme për garantimin e paqes dhe stabilitetit dhe për të zbutur tensionet. Besojmë se asnjëra palë nuk duhet të ndërmarrë hapa të njëanshme, apo të bëjë ndryshime të njëanëshme që rrisin tensionet. Për këtë arsye ne mendojmë se miratimi i këtij ligji kundër shkëputjes nuk ndihmon në këtë drejtim. Por ne do të vazhdojmë të inkurajojmë dialogun dypalësh”.

Në bazë të Aktit për Marrëdhëniet me Taivanin, Shtetet e Bashkuara kanë detyrimin “që të vënë në dispozicion të Taivanit, të gjitha paisjet dhe shërbimet mbrojtëse për të cilat mund të ketë nevojë për të ruajtur aftësitë e mjaftueshme për t’u vetëmbrojtur”. Nëse interesat amerikane rrezikohen për shkak të kërcënimeve ndaj sigurisë së popullit të Taivanit, Akti për Marrëdhëniet me Taivanin parashikon që “Presidenti dhe Kongresi të vendosin, në përputhje me proceset kushtetuese, të ndërmarrin masat e duhura nga Shtetet e Bashkuara në përgjigje të një rreziku të tillë”.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice, e ka bërë të qartë se as kërcënimet e nënkuptuara të Kinës, as hapat drejt pavarësisë nga ana e Taivanit nuk ndihmojnë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajonin e ngushticës së Taivanit. Zëdhënësi i saj, Richard Boucher, tha se ishte i sigurt që Taivani do të ishte një nga temat e diskutimit gjatë udhëtimit të Sekretares Rice në Azi, gjatë të cilit ajo do të bëjë edhe një vizitë në Kinë. //az//

XS
SM
MD
LG