Lidhje

Kompania amerikane në kërkim të naftës në Shpirag


Në Shqipëri Ministri i Energjitikës Viktor Doda nënshkroi sot një marrëveshje me kompaninë amerikane Occidental Petroleum Corporation për realizimin e kërkimeve dhe shpimieve të reja për naftë në zonën e Shpiragut në Berat.

Kompania amerikane e cila po realizon kërkime në këtë zonë që prej vitit 1998 duke investuar mbi 60 milion dollarë shpreson të zbulojë një vendburim të rëndësishëm nafte. Rezultatet sipas John Winterman, zëvendës president i kompanisë Occidental Petroleum, pritet të shihen brenda 2-3 muajve të ardhshëm.

Kostoja e këtyre punimeve llogaritet në afro 15 milion dollarë. Përvec kërkimeve në zonën e Shpiragut, kompania amerikane ka realizuar shpime dhe në det dhe investimet e saj llogariten në disa dhjetra milion dollarë.

Aktualisht Shqipëria prodhon sasira të kufizuara të naftës, duke mbuluar jo më shumë se 25 përqind të nevojave të tregut i cili si bazë ka naftën dhe benzinën e importit. Për këtë arsye në Shqipëri këto ditë është ndjerë menjëherë edhe rritja e cmimit të naftës në tregjet botërore.

XS
SM
MD
LG