Lidhje

Bota i jep lamtumirën e fundit Papa Gjon Palit II


Presidentë, patriarkë, prelatë dhe pelegrinë i dhanë lamtumirën e fundit Papa Gjon Palit të Dytë gjatë një funerali emocional në sheshin e Shën Pjetrit. Korrespondenti, Roger Wilkison, njofton nga Roma se deri në 4 milion veta vërshuan drejt kryeqytetit italian për të marrë pjesë në funeral ose e panë atë në ekranet e mëdhenj televiziv, të vendosur në gjithë qytetin.

Ashtu siç i ka hije një kishe 2 mijë vjeçare, që ka zotëruar artin e madhështisë, funerali ishte një rast solemn, që kishte për qëllim të nderonte një person, të cilin udhëheqësit politikë dhe fetarë e kanë përshkruar si një gjigant të kohës së tij.

Dekani i Kolegjit të Kardinalëve të Kishës Katolike, Joseph Ratzinger, kryesoi meshën e funeralit. Prelati, zakonisht mjaft autoritar në tonin e tij, nuk i përmbajti emocionet kur kujtoi daljen e Papës në dritaren e apartamentit të tij vetëm 12 ditë më parë, të dielën e Pashkëve, kur bekoi besimtarët në sheshin përballë.

“Ne mund të jemi të sigurtë se Papa ynë i dashur ndodhet tani në dritaren e shtëpisë së atit të tij nga ku na shikon dhe na bekon.”

Predikimi i kardinalit Ratzinger u ndërpre disa herë nga duartrokitjet e besimtarëve, shenjë kjo respekti në Itali. Por nga fundi i meshës, një thirrje e madhe doli nga turma prej rreth 300 mijë njerzish të mbledhur në shesh dhe në bulevardin e gjerë që të çon atje, duke kërkuar që Papa Gjon Pali i Dytë të kanonizohet pa vonesë si shenjt.

Spontaniteti i grumbullit të njerzve ishte në kontrast me ritualin e funeralit, megjithatë çdo njeri u bashkua me vargun e lutjeve, në të cilat kisha u bën thirrje shenjtorëve të shumtë që të luten për shpirtin e të vdekurit.

Shumë prej pelegrinëve në sheshin e Shën Pjetrit ishin nga Polonia, dhe kishin ardhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit njeriut që ata e shikojnë si baba dhe si hero kombëtar. Papës i njihet merita se ndihmoi në rënien e Perdes së Hekurt, por ai njihet gjithashtu se ndërtoi ura lidhjeje me besimet e tjera fetare.

Mes personaliteteve që morën pjesë në funeral kishte hebrej, myslimanë dhe të krishterë ortodoksë. Patriarkët e kishave ortodokse, të cilat janë të lidhura me katolicizmin romak, thërrisnin në greqisht ndërsa tundnin thimianin mbi arkivolin e thjeshtë prej druri të Papës.

Ndërsa arkivoli i Papës futej në katedrale për t’u varrosur aty ku janë varrosur edhe Papë të tjerë, këmbanat tingëllonin në zonën përreth Sheshit të Shën Pjetrit si shenjë e fundit e lamtumirës për Papën, me të cilin shumë katolikë nuk ishin dakord, por që admirohej nga shumica e tyre.

Këmbanat do të bien tani përsëri kur kolegji i kardinalëve të Kishës Katolike të zgjedhë pasardhësin e Gjon Palit. Ata kanë në plan të fillojnë takimet me dyer të mbyllura më 18 prill.

XS
SM
MD
LG