Lidhje

Pavarësia, zgjidhja e vetme për çështjen e Kosovës


Drejtori i ri Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC), Frank Shkreli, thotë se në veprimtarinë e NAAC-ut ky vit është me shumë rëndësi, veçanërisht lidhur me statusin e Kosovës. Ai thotë se pavarësia e Kosovës është normë demokratike e zbatimit të vullnetit të popullit shqiptar.

Intervista me disa shkurtime:

Zëri i Amerikës: Zoti Shkreli, ju vini në postin e drejtorit ekzekutiv të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan pas një kariere 30 vjeçare, shumë të sukseshme në shërbimin federal, pikërisht në Zërin e Amerikës, gjatë së cilës keni qënë dëshmitar i ndryshimeve të mëdha gjithëbotërore, veçanërisht në Evropën Lindore dhe ish-Bashkimin Sovjetik. Në postet drejtuese që keni mbajtur keni marrë vendime që, në një formë a një tjetër, kanë patur ndikimin e tyre në këto ndryshme? Si e shikoni ju rolin tuaj në drejtimin e NAAC-ut?

Frank Shkreli: Nga ky këndvështrim, eksperienca që ju permendët shpresoj të më ndihmojë në zbatimin e detyrës. Besoj se këtë kishin në mend edhe anëtarët e bordit që më zgjodhën. Por nuk është vetëm një person që drejton NAAC-un, është një grup shqiptaro-amerikanësh, tregtarësh, atdhetarësh patriotë që e kanë filluar këtë organizatë 9 vjet e ca më parë, organizatë që ka luajtur rol në mbrojtjen e shqiptarëve në të gjitha anët e botës, por kryesisht ngjarjet në Kosovë kanë qënë një pikë veprimi për këtë organziatë gjatë luftës në Kosovë, rezultatet e të cilës shihen sot, kur Kosova është e lirë, duke shkuar drejt pavarësisë.

Roli i NAAC-ut është i shumëllojshëm nga viti në vit, duke patur parasysh edhe ngjarjet në Ballkan, por pika kryesore është mbrojtja e interesave të kombit shqiptar. Ky vit është një vit me rëndësi, natyrisht, në lidhje me pavarësinë e Kosovës, kur do të angazhohemi siç është angazhuar kjo organizatë edhe më përpara për të bindur komunitetin ndërkombëtar, por kryesisht qeverinë amerikane dhe Kongresin Amerikan se kjo masë duhet të merret sa më parë, jo vetëm në interes të popullit shqiptar në Kosovë por edhe në interes të stabilitetit në të gjithë rajonin dhe në interes të sigurisë së Shteteve të Bashkuara, të cilat janë shumë të interesuara për stabilitetin në Ballkan.

Zëri i Amerikës: Cila është strategjia e NAAC-ut në këtë vit kaq të rëndësishëm për çështjen e Kosovës dhe për çështjen shqiptare në përgjithësi?

Frank Shkreli: Stategjia është që të bashkëpunojmë ngushtë me elementë të qeverisë amerikane, qoftë me degën ekzekutive, me përfaqësues të Departamentit të Shtetit, me përfaqësues të Pentagonit, por edhe me anëtarë të Kongresit. Këto janë zhvillime të natyrshme për këtë organizatë, ne jemi të njohur shumë mirë tani në kryeqytetin e Amerikës, në Uashington. Kjo organizatë ka tashmë një besueshmëri, një konfidencë në qarqet amerikane; ne jemi një urë mes qeverisë amerikane dhe qeverisë në Kosovë, qeverisë në Shqipëri, shqiptarëve në të gjitha anët e Ballkanit. Ne jemi një urë, ne dëgjojmë çfarë thuhet këtu, ne e dimë se çfarë ndodh atje dhe përpiqemi të bëjmë atë që është e mundur që të forcojmë miqësinë mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kombit shqiptar.

Zëri i Amerikës: Disa nga zërat më të fuqishëm në qarqet politike të Washingtonit, duke përfshirë edhe ish-sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Frenk Karluçi, si dhe disa studiues të shquar, si Zbigniev Bërzhinski e Janush Bugajski, janë shprehur fuqimisht në mbështetje të pavarësisë së Kosovës, pavarësisht se ku qendrojnë shqiptarët e Kosovës me plotësimin e standardeve të vëna nga komuniteti ndërkombëtar. Cili do të ishte argumenti juaj lidhur me statusin e Kosovës?

Frank Shkreli: Kosovarët janë në zbatim e sipër të standardeve dhe shumë prej tyre janë plotësuar. Nuk është më çështja e standardeve, e gjithë bota e ka parë tashmë se kosovarët janë shumë seriozë lidhur me standardet që janë duke i zbatuar çdo ditë. Ajo që duhet bërë tani është të zbatohet vullneti i kosovarëve. Një pjesë e madhe e akademikëve dhe ish-zyrtarëve, siç e përmendët ju, dhe shumë ndërkombëtarë të tjerë thonë tani se e vetmja zgjidhje është pavarësia e Kosovës. Nuk ka asnjë alternativë tjetër, se ky është vullneti i popullit të Kosovës dhe, në qoftë se besojmë në demokraci, vullneti i Kosovës dhe i popullit kosovar nuk duhet të hidhet poshtë, por duhet të mbizotërojë në këtë moment. Për më tepër, ka kaluar koha që elementë të tjerë në Ballkan të marrin vendime për Kosovën, kosovarët do ta vendosin vetë fatin e tyre, natyrisht me aprovimin e ndërkombëtarëve. Kjo tashmë është vetëm çështje kohe. Kosovarët e kanë provuar se e meritojnë pavarësinë, kanë punuar në drejtim të saj, kanë treguar maturi politike gjatë gjithë kësaj periudhe, jo vetëm gjatë luftës, por edhe para luftës, që prej viteve 1989-90.

Zëri i Amerikës: Në këtë kontekst, a do të ishin paraqitja e ish-Kryeministrit të Kosovës, zotit Ramush Haradinaj, në Hagë dhe qendrimi i popullit të Kosovës ndaj veprimit të zotit Haradinaj, në mbështetje të zotit Haradinaj dhe nën shembullim e zotit Haradinaj, ilustrim i kësaj që sapo thatë ju?

Frank Shkreli: Zoti Haradinaj është patriot. Ai i tregoi botës dhe popullit të Kosovës dhe gjithë popullit shqiptar se lufta që zhvilloi populli shqiptar, meriton pavarësinë. Dhe kjo është në të vërtetë një zbatim i standardeve. Kush tjetër në Ballkan, me të drejtë apo pa të drejtë, ka shkuar në Hagë vullnetarisht? Të tjerët janë duke u fshehur nga ndërkombëtarët. Njerëz si zoti Haradinaj i kanë treguar botës se populli shqiptar është serioz për të marrë në dorë fatin e vet.

Zëri i Amerikës: Një argumentim të tillë ka bërë në Senat edhe Senatori Xhozef Bajdën. Për mendimin tuaj, a është ky një sinjalizim për pavarësisë e Kosovës si një ngjarje që nuk do të vonojë?

Frank Shkreli: Pa dyshim. Njerëzit e vullnetit të mirë, qofshin këtu në Uashington, qofshin anë e mbanë Shteteve të Bashkuara, qofshin në Evropë, e shikojnë tani se zgjidhje tjetër nuk ka përveç pavarësisë dhe kam besim se kjo do të ndodhë shumë shpejt.

Zëri i Amerikës: Zoti Shkreli për sa i përket rolit të shtetit shqiptar në çështjen e Kosovës, si e shikoni ju atë?

Frank Shkreli: Por kjo do të jetë një pyetje për të dy shtetet për t’iu përgjegjur. Si dy shtete të pavarura, ato do të kenë të drejtë të zhvillojnë marrëdhënie siç u pëlqen atyre, siç u takon atyre, si me çdo shtet tjetër.

Zëri i Amerikës: A do të ishte alternativë bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare?

Frank Shkreli: Nuk ka asnjë udhëheqës shqiptar që flet tani për një zgjidhje të tillë si alternativë tani për tani. Populli shqiptar në Ballkan duhet të përqendrohet në të ardhmen që të përmirësojë jetën ekonomike, shoqërinë në përgjithësi, jetën civile. Kombi shqiptar nuk duhet të ketë frikë nga e ardhmja. Sot shiptarët, në përgjithësi, nuk kanë qënë kurrë më të lirë. Ka ardhur koha për ta që ta shfrytëzojnë këtë moment historik, që të bëhen pjesë e Evropës, pjesë e organizmave evro-atlantike, që Shqipëria të bëhet sa më parë anëtare e NATO-s, që Kosova të bëhet e pavarur dhe më pas anëtare e NATO-s dhe dy shtetet të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian. Një pjesë e madhe e të gjitha këtyre është në dorën e shqiptarëve për t’u arritur. Unë besoj se shqiptarët e Ballkanit i pret një e ardhme shumë e ndritur. Kurrë më parë, kombi shqiptar nuk ka patur më shumë liri, më shumë demokraci, dhe e ardhmja e tij është shumë shpresëdhënëse.

Zëri i Amerikës: Për sa i përket Shqipërisë, ajo është një vend mik i Shteteve të Bashkuara, por një mik problematik, me mjaft probleme të brendshme, si korrupsioni, krimi i organizuar, trafikimi i njerëzve, të cilat Shqipërisë i janë vënë në dukje nga qarqet amerikane. Gjithashtu edhe klima politike në Shqipëri këtë vit zgjedhjesh është mjaft e tensionuar dhe ndërkombëtarët kanë vënë në dukje problemet me listat zgjedhore. Çfarë do të thoshit lidhur me këto probleme që ndesh Shqipëria?

Frank Shkreli: Natyrisht, problemet që përmendët ju janë shqetësuese, si për ne, si për të gjithë dashamirësit e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Edhe këtu në Uashington dëgjohen zëra një çikë shqetësuese lidhur me këto probleme me të cilat përballet Shqipëria. Natyrisht që Shqipëria vazhdon të jetë në një periudhë tranzicioni. Ne përpiqemi ta ndihmojmë Shqipërinë në çdo pikpamje. Si organizatë, ne kurrë nuk kemi përkrahur parti politike, nuk kemi marrë anën e një personi apo të një tjetri, as në Shqipëri, as në Kosovë dhe as këtu në Shtetet e Bashkuara, nuk jemi as republikanë dhe as demokratë, por ndjekim një politikë të paanshme. Kështu që ne jemi shumë të interesuar, sidomos në lidhje me zgjedhjet e ardhëshme në Shqipëri, shpresojmë dhe do të vënë në dukje qendrimin tonë që zgjedhjet të jenë sa më të drejta dhe objektive, që zgjedhjet të mbahen sipas standardeve ndërkombëtare, që zgjedhjet më në fund, pas 15 vjetësh, të mos kontestohen, të zhvillohen në një mënyrë që të jenë të pranueshme për të gjithë dhe që të formohet një qeveri e pranueshme për të gjithë. Besoj se këto janë interesat e kombit shqiptar dhe të Shqipërisë. Këto janë edhe kërkesat e ndërkombëtarëve, si në Evropë, si këtu në Uashington.

XS
SM
MD
LG