Lidhje

Shqipëri: Instituti Demokratik Kombëtar vlerëson gjendjen politike në vend


Në Shqipëri, Instituti Demokratik Kombëtar amerikan u bëri thirrje udhëheqësve politikë që të dëshmojnë vullnet dhe konsensus në zhvillimin e një fushate paqësore për zgjedhjet parlamentare të kësaj vere. Instituti Demokratik amerikan shprehu shqetësim edhe për mundësinë e zbatimit të së ashtuquajturës skemë e Dushkut nga ana e Partisë Socialiste.

Deklaratat e kësaj organizate u bënë në përfundim të një turneu 4 ditor në Shqipëri i cili kishte si synim vlerësimin e situatës parazgjedhore. Instituti demokratik Kombëtar amerikan i bëri një vlerësim situatës politike në Shqipëri mbi përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme dhe problemet e mundshme që i shoqërojnë ato duke ofruar dhe një sërë rekomandimesh me qëllim që votimet e verës të sigurojnë standardet ndërkombëtare.

Në vëzhgimet e këtij instituti të cilat u bënë të njohura nga Robert Beniamin, drejtor për Evropën Juglindore, thuhet se zyrtarët zgjedhorë dhe gjyqësorë duhet ta zbatojnë ekspertizën teknike dhe autoritetin ligjor në një mënyrë rreptësisht jo partiake: "Udhëheqësit politikë duhet të dëshmojnë vullnet politik dhe consensus, përmes veprimit dhe jo vetëm retorikës, për të kryer fushata paqësore të lidhura me interesat e votuesve. Ata – theksoi zoti Beniamin – duhet të parandalojnë praktikat korruptive të tilla si ndryshimi i listave të votimit, mbushja e kutive të votimit, përdorimi i burimeve financiare të paligjshme apo votimi alternativ dhe të përdorin praninë e tyre në organet zgjedhore për të zbatuar ligjin dhe procedurat administrative".

Në deklaratë theksohet se pa një vullnet politik të mjaftueshëm ndryshimi i listave dhe gabimet administrative mund të zgjasin vonesat dhe të çojnë në mohimin e të drejtës së votimit për zgjedhësin si dhe në votimin e shumëfishtë. Shqetësim është shprehur edhe për mundësinë e përdorimit të asaj që njihet si skema e Dushkut.

Kjo është një alternativë e cila duket se do të përdoret nga socialistët të cilët do të kërkojnë votat e aleatëve të tyre për kandidatët, në këmbim të mbështetjes së elektoratit socialist për partitë e vogla të majta në sistemin proporcional: "Ndërsa kjo taktikë mund të mos e shkelë kodin elektoral apo kushtetutën, nëse realizohet ajo mund të tjetërsojë ndarjen e vendeve parlamentare në një mënyrë të tillë që do të shtrembëronte përfaqësimin e elektoratit në parlament dhe do të minonte besueshmërinë e parlamentit" - tha zoti Beniamin.

Sipas Instituti Demokratik amerikan, probleme mund të ketë edhe gjatë transportit të kutive të votimit apo edhe me komisionerët të cilët mund të zëvendësohen deri dy orë përpara fillimit të votimit. Instituti ka rekomanduar që shteti, pushteti vendor dhe aktorët politikë duhet të marrin masa të menjëhershme për të siguruar përpilimin e duhur dhe të saktë të listave të votuesve.

Në deklaratë ngrihet edhe shqetësimi i shfaqur tashmë publikisht edhe nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe të OSBE-së lidhur me mundësinë e depërtimit në parlament të përfaqësuesve të bizneseve të dyshimtë. Instituti rekomandon që partitë të sigurojnë vetveten dhe elektoratin se kandidatët e tyre nuk kanë interesa private ose biznesi, të cilat ngrenë shqetësime për korrupsion dhe shkelje të tjera etike që sipas deklaratës, do të kompromentonin besueshmërinë e tyre si zyrtarë të zgjedhur për të respektuar sundimin e ligjit.

XS
SM
MD
LG