Lidhje

Ekspozitë e përbashkët e 5 artistëve shqiptarë në Uashington


Pesë piktorë e skulptorë shqiptarë hapën këto ditë një ekspozitë të përbashkët në Uashington. Qëllimi i tyre ishte paraqitja e punimeve më të mira të krijuara kryesisht gjate jetës në mergim,si dhe ruajtja apo rivendosja e lidhjeve me njeri-tjetrin e me komunitetin. Ekspozita u hap në mjediset e ambasadës shqiptare e cila këtë ditë i ngjante një galerie arti.

Në hyrje qëndronte skulptura e quajtur Forma, vepër e njohur e skulptorit Kreshnik Xhiku, i cili para nje viti me këtë skulpturë abstrakte fitoi edhe çmimin e parë gjatë një eksopozite po ketu në Uashington. Por sot, skulptori shqiptaro amerikan krenohet me një tjeter vepër abstrakte që autori thotë se perfaqëson Qiellin dhe Tokën, ndërsa drita që hyn nga një vrime në të përfaqëson Diellin. Zoti Xhiku, i njohur që në Shqiperi për veprimtarinë e tij të pasur artistike, ka disa vite që jeton në Shtetet e Bashkuara, ku pjesërisht jep mesim në nje shkolle arti dhe pjesen tjetër të kohës iu kushton punës krijuese. Ai thote se hapja e një ekspozite personale është tani pikësynimi i tij kryesor.

Në sy bien pikturat e artistit të njohur Ilir Pojani. Ato janë të qarta nga forma, jo abstrakte, pak të turbullta, që të krijojnë përshtypjen sikur autori i ka fiksuar ato në lëvizje. Për këtë piktor të njohur, mund të thuhët se është nga të pakët artistë shqiptarë të ardhur në Amerike këto dhjetë vjetët e fundit, për të cilin piktura është jo vetëm pasion por edhe mjet për sigurimin e jetesës. Pra ai ka hyrë në radhën e piktorëve profesionistë amerikanë. Kjo filloi para 3 vjetësh kur vendi i tij i punës si piktor në kompaninë telefonike Verajzon u mbyll dhe ai mbeti pa pune. Iliri thotë se atëhere e pa veten keq. Por tani thotë se ishte më mirë që ndodhi ashtu, pasi kjo e bëri t’i kushtohej plotësisht artit të pikturës.

Vepra të tjera të eksozuara janë edhe ato të artistëve të tjerë së Vasiljev Nini, shqiptar me banim në shtetin Nebraska. Mes skulpturave e tij të shumta, ajo që bie në sy është një shtatore e nënë Terezës, për të cilën ai thotë se e punoi posaçërisht për këtë ekspozitë.

Tingujt e melodive klasike të interpretuara në piano nga Gjenovefa Sako sikur e bënin edhe më të ngrohtë atmosferën artistike të këtij mjedisi diplomatik.

Hapja e ekspozitës u bë e mundur nga ambasada e Shqipërisë në Uashington. Ambasador Fatos Tarifa thotë se qëllimi është për të njohur publikun amerikan me arritjet e artit shqiptar, por edhe për të nderuar artistët shqiptarë që krijojnë e jetojnë në mërgim.

Ndërsa piktorët Sidrit Tarifa me banim në Holandë dhe Gent Korini nga Tirana nuk ndodheshin personalisht të pranishëm. Ata kishin dërguar punimet e tyre, para të cilave vizitorët ndaleshin, i admironin dhe komentonin, siç ndodhi me këto vajza përpara kësaj pikture me ngjyra të theksuara kuq e zi. Ngjyrat ato i kuptonin; ishin ngjyrat e flamurit të tyre kombëtar, por ishin në mëdyshje nëse ky njeri i kërrusur në pikturë, që i ngjitet malit me vështirësi, është thjesht një këmbësor, apo mos vallë simbolizon Shqipërinë në rrugën e saj të tranzicionit.

XS
SM
MD
LG