Lidhje

Iraku formoi qeverinë e tij të parë të zgjedhur në mënyrë demokratike


Iraku formoi qeverinë e tij të parë të zgjedhur në mënyrë demokratike pas luftës, duke i dhënë fund një bllokimi tre mujor të gjendjes politike, e cila kishte ndikuar negativisht në përpjekjet për të ndalur dhunën.

Asambleja Kombëtare me 275 anëtarë miratoi sot me shumicë dërrmuese kabinetin me 31 anëtarë të kryeministrit Ibrahim al-Jafari. Në 5 poste, përfshirë edhe ato të mbrojtjes dhe të naftës, janë caktuar ministra të përkohshëm, pasi negociatorët nuk arritën konsensus për kandidatët.

Dy poste zëvendës kryeminsitrash po ashtu janë lënë të paplotësuara. Zoti Al Jafari do të shërbejë edhe si ministër i përkohshëm i mbrojtjes ndërsa Ahmad Chalabi, i cili më parë ishte ndër kandidatët e preferuar të Pentagonit, do të jetë zëvendës-kryeministër dhe ministër i përkohshëm i naftës. Qeveria e re pritet të bëjë betimin brenda pak ditësh.

Ndërkaq, një këshilltar i lartë i Ministrisë së Brendshme u qëllua para shtëpisë së tij në Bagdat. Një tjetër zyrtar i ministrisë u vra, në një incidet tjetër po në Bagdat. Në Tikrit, shpërthimi i një makine bombë pranë një post-blloku shkaktoi vdekjen e të paktën 2 ushtarëve irakianë dhe plagosi rreth 15 të tjerë, përfshirë edhe 3 ushtarë amerikanë.

XS
SM
MD
LG