Lidhje

Fatos Nano: Partia Socialiste ka të drejtën të kërkojë një mandat të ri


Në Shqipëri kryeministri Fatos Nano deklaroi të mërkurën se Partia Socialiste që ai drejton ka të gjithë të drejtën të kërkojë një mandat të ri qeverisës për të përfunduar siç tha ai misionin e reformave integruese dhe transformuese. Zoti Nano i bëri këto komente gjatë një takimi me përfaqësues të shypit një ditë përpara kongresit elektoral socialist ku do të shpallet dhe platforma për zgjedhjet e 3 korrikut. Në kongres socialistët do të miratojnë edhe paketën Rama e cila sipas kryeministrit përbën një provë të forcës për ndryshim.

Socialistët shqiptarë do të zhvillojnë nesër kongresin elektoral ku krahas platformës me anë të së cilës ata do të konkurrojnë në garën e 3 korrikut, do të miratojnë edhe listën e 100 kandidatëve që do të hedhë në fushën e betejës zgjedhore.

Këtë herë përplasja tradicionale mes socialistëve dhe demokratëve do të jetë ndoshta më e ashpra, nga njëra anë prej vetë sistemit të votimit me një tur dhe nga ana tjetër se demokratët kanë disa muaj që kanë hedhur hapa të rëndësishëm ndryshimi, si në strategji ashtu dhe në figurat me të cilat ajo do të shfaqet përpara zgjedhësve.

Të dyja palët megjithatë janë të sigurta në fitore. Kryeministri Fatos Nano deklaroi të mërkurën se socialistët kanë arsye të forta për të kërkuar një mandat të tretë radhazi:

"Ne e konsiderojmë ende të papërfunduar misionin politik dhe qeverisës që çojmë përpara prej 8 vjetësh. Pasi e sollëm Shqipërinë në normalitet, ne nisëm një proces reformash që e kanë transfromuar rrënjësisht atdheun. Ne kemi mundur të transformojmë Shqipërinë duke transformuar vetveten. Ne guxojmë të kërkojmë një mandat të ri sepse kemi ecur në kahun e duhur, në drejtimin e Europës, demokracisë dhe standarteve të saj edhe në funksionimin dhe organizimin e jetës demokratike në partinë ku jetojmë".

Në kongresin e së enjtes socialistët do të miratojnë edhe paketën Rama, propozimet e kryetarit të bashkisë së Tiranës për institucionalizimin e fraksioneve në partinë socialiste. Një platformë e rrëzuar gati një vit e gjysëm më parë, e pranuar pa as më të voglin debat dy ditë më parë.

"Paketa Rama eshte një provë sintetike e forcës dhe vullnetit tonë për të ndryshuar. Kjo paketë u votua natyrshëm dhe me konsensus të gjerë se në 8 elementë të saj bënin pjesë iniciativa, vlera, ngjarje që kanë përshkuar që nga 1996-a jetën e PS-së si një parti e hapur për konkurrim alternativash dhe konsultim me përkrahësit dhe shoqërisë rreth saj", deklaroi kryeministri.

Por përtej këtyre vlerësimeve, perceptimi i përgjithshëm është se pranimi i propozimeve të kryetarit të Bashkisë u bë për ta patur zotin Rama si figurë qendrore të fushatës elektorale, që do të freskonte imazhin e lodhur të socialistëve që drejtojnë vendin që prej 8 vjetësh.

Propozimet e zotit Rama dhe përfshirja e tij energjike në fushatë do të shërbejë edhe si kompensim ndaj imazhit të rinovuar të demokratëve të cilët po luajnë fortë me kartën e hapjes së partisë dhe pranimit të alternativave dhe njerëzve të rinj. Demokratët kryen ndryshime drastike në kryesinë e tyre dhe kanë nisur efektivisht prej kohësh një fushatë agresive me platforma dhe ide për zhvillimin e vendit.

XS
SM
MD
LG