Lidhje

Irak: Ofensivë e fuqishme kundër kryengritësve në perëndim të vendit


Një ofensivë madhore ushtarake amerikane në shkretëtirën e Irakut perëndimor ka hyrë në ditën e tretë, ndërkohë që marinsat, ushtarët dhe detarët amerikanë vazhdojnë të ndjekin kryengritësit nga toka dhe ajri. Ushtria amerikane njoftoi se marinsat kaluan nga brigjet jugore të lumit Eufrat në pjesën veriore të afër kufirit me Sirinë, ku ata kanë kryer bastisje kundër ekstremistëve dhe luftëtarëve të huaj. Zyrtarët thonë se operacioni është i nevojshëm për të eliminuar terroristët dhe luftëtarët e huaj, të cilët e përdorin këtë zonë si strehë dhe si një rrugë kontrabande. Zyrtarë irakianë thanë se kryengritësit kryen sot 2 shpërthime vetëvrasëse, duke vrarë të paktën 7 veta dhe duke plagosur 19 të tjerë.

Ndërkohë, ministri i jashtëm i Italisë, Xhanfranko Fini tha se nuk parashikon që kontigjenti ushtarak i vendit të tij të qëndrojë në Irak matanë fillimit të vitit 2006. Zoti Fini tha sot se ka të ngjarë që Italia të tërheqë 3 mijë trupat që ka në Irak deri në janar ose shkurt, pas zgjedhjeve që janë planifikuar të mbahen në atë vend nga fundi i këtij viti. Kryeministri Silvio Berlusconi ka thënë se do të dëshironte të fillonte tërheqjen e trupave itakiane nga Iraku në shtator.

XS
SM
MD
LG