Lidhje

Burns: Të ardhmen e Kosovës do ta vendosin së bashku palët e interesuara


Nënsekretari amerikan i Shtetit, Nicholas Burns, diskutoi përsëri dje çështjen e Kosovës në Qendrën Woodrow Wilson, në kuadrin e stabilitetit ballkanik, 10 vjet pas marrëveshjeve të Dajtonit. Është në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara, tha zoti Burns, që rajoni i Ballkanit t’i lërë një herë e përgjimonë mbrapa konfliktet e egra të shekujve të 19-të dhe të 20-të dhe të integrohet në Evropën demokratike dhe paqësore të pas Luftës së Ftohtë.

Zoti Burns tha se Presidenti Bush dhe Sekretarja e Shtetit Kondoliza Rajs janë të vendosur që Shtetet e Bashkuara të luajnë një rol të rëndësishëm që konfliktet, të cilat përfshinë dhe shkatërruan Ballkanin 10 vjet më parë, të zgjidhen përfundimisht, që populli i Bosnje-Hercegovinës të jetojë në paqe në një shoqëri shumë-etnike dhe bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës të fillojnë.

Zoti Burns tha se 2005 është një vit vendimtar për Kosovën dhe përvijoi edhe një herë, ashtu si një ditë më parë në Kongres, politikën amerikane për këtë çështje.

“Ne besojmë se është koha e përshtatëshme që Kombet e Bashkuara të dërgojnë këtë verë një ekip për të vlerësuar gjenden në Kosovë, për të përcaktuar nëse ajo është gati për fillimin e negociatave për statusin përfundimtar. Ne besojmë se Kosova ka bërë përparim të mjaftueshëm që procesi të fillojë, standardet që iu vunë asaj nga komuniteti ndërkombëtar, megjithëse jo tërësisht, në përgjithësi janë plotësuar”.

Zoti Burns tha se statusi përfundimtar i Kosovës nuk mund të përcaktohet as nga Shtetet e Bashkuara, as nga Grupi i Kontaktit dhe as nga Evropa Perëndimore, ai do të përcaktohet nga shqiptarët dhe sërbët e Kosovës, nga komunitetet e tjera në vend, dhe natyrisht nga qeveria e Beogradit.

Zoti Burns theksoi se marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Beogradin do të varen ndërmjet të tjerash, në një masë të konsiderueshme nga mënyra se si do ta trajtojë ai çështjen e Kosovës.

Megjithëse palët e interesuara kanë qendrime krejt të ndryshme për këtë çështje, që variojnë nga pavarësia e Kosovës tek një autonomi më e madhe dhe një proces disa fazash për arritjen e një statusi të pranueshëm për të gjithë, të gjithë janë të një mendimi se statuskoja e tanishme nuk është më e qendrueshme, e dëshirueshme apo e pranueshme. Kjo gjendje nuk plotëson dëshirat e asnjërës palë apo të popujve të atij rajoni, dhe le të hapur mundësinë për ripërsëritjen e dhunës etnike.

Të pranishmit që kishin mbushur sallën i drejtuan shumë pytetje nënsekretarit të Shtetit Nicholas Burns, për të mësuar më shumë për planet e Shteteve të Bashkuara në përgjigje të rezultateve që mund të sjellë procesi.

Zëri i Amerikës: Zoti Sekretar, në qoftë se negociatat për statusin e Kosovës mes palëve të interesuara rezultojnë në pavarësinë e saj, a janë Shtetet e Bashkuara të përgatitura ta njohim atë?

BURNS: Ne do të mbështesim, çfardo zgjidhje për të cilën do të bien dakord palët e interesuara. Ne nuk e diktojmë atë zgjidhje.

Zëri i Amerikës: Ç’farë plani kanë Shtetet e Bashkuara në qoftë se palët e interesuara nuk arijnë në një zgjidhje të pranueshme për të gjithë?

BURNS: Jemi optimistë, besojmë se palët mund të bien dakord për të ardhmen e Kosovës. Ne nuk mund ta imagjinojmë se çfarë dështimi do të ishte po të mos binin dakord. Por ne jemi optimistë për të ardhmen.

Sekretarja e Shtetit, Kondolica Rajs, e ka ngarkuar zotin Burns të vizitojë Sarajevën, Prishtinën dhe Beogradin në qershor për t’ua bërë të qartë udhëheqësve të këtyre vendeve se Shtetet e Bashkuara janë të interesuar që në bashkëpunim me Evropën, t’i ndihmojnë këto vende të ecin përpara dhe të rihynë në komunitetin e vendeve evropiane.

XS
SM
MD
LG