Lidhje

Përpjekje për të tërhequr të rinj të talentuar në profesionin e mësuesit


Shkollat amerikane në qytete kanë një mungesë të theksuar mësuesish. Një ndër dy mësues të rinj në shumë shkolla të zonave urbane, heqin dorë nga ky profesion në vitin e tretë të tyre në arsim. Por çfarë duhet bërë për të punësuar mësues, kur ky profesion nuk vlerësohet dhe as nuk paguet mirë? Konteja Broward në jug të Floridës thotë se mund ta ketë gjetur zgjidhjen. Në qoftë se ajo jep rezultat, zyrtarët shpresojnë që të bëhet model për gjithë vendin.

Zonjusha Johnson pyet klasën e dytë të 7-vjeçarëve që të përkufizojnë Rregullin e Artë. Në fillim askush nuk përgjigjet, por pastaj një nxënës i quajtur Duance thotë: “Rregulli i Artë është që t’i trajtosh të tjerët ashtu si do të doje të të trajtonin ata ty?” Mësuesja e inkurajon klasën me entuziasëm ta përsëritë atë.

Kur shikon Jewel Johnsonin të japë mësim të lë mbresë se sa të vemendshëm janë nxënësit e saj të klasës së dytë. Por më interesante është se edhe vetë zonjusha Johnson vazhdon shkollën, ajo është vetëm 18 vjeç.

Jewel Johnson bën pjesë në një program për përgatitjen e mësuesve të ardhshëm që në moshë të re. Krahas ndjekjes së shkollës, një herë në javë Jewel shkon në një nga shkollat fillore aty pranë për të praktikuar atë që ka mësuar. Ajo ka në plan të bëhet mësuese dhe të kthehet në qytetin e saj të lindjes për të dhënë mësim kur të mbarojë shkollën.

Drejtorja e programit, Sarah Rogers, shpjegon se çfarë përfitimesh kanë Jewel dhe mësuesit e tjerë që po trejnohen në kuadrin e këtij programi. “Ne u ofrojmë atyre që të mbarojnë studimet universitare pa marrë hua dhe nuk di që në ndonjë zonë tjetër të vendit të ketë një program të tillë”.

Konteja Broward fitoi një grant prej 25 mijë dollarësh për të ndërmarë këtë program në vitin 2001. Tani ai u ofrohet pesë shkollave të mesme dhe pritet që çdo vit të diplomohen si mësues 150 studentë. Grupi i parë është duke përfunduar vitin e parë të kolegjit.

Disa njerëz e kritikojnë idenë e rekrutimit të mësuesve në një moshë kaq të re. Por Sarah Rogers thotë se kjo është mënyra më e mirë për t’i përgatitur mësuesit e ardhëshëm, pasi ata ambjentohen me mësimdhënien që në vitet e shkollës dhe kanë një ide të qartë se çfarë i pret pasi të diplomohen.

Zyrtarët e arsimit shpresojnë se rekrutimi i studentëve që eventualisht do të bëhen mësues në shkollat e qyteteve të tyre do të eliminojë atë shok kulturor që i bën shumë prej mësuesve të rinj të largohen nga arsimi. Ndërkohë Broward ka filluar edhe trejnimin në distrikte të tjera të Shteteve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG