Lidhje

OSBE: janë përmbushur kushtet për zgjedhje më të mira


Prania e Osbe-së në Shqipëri vlerëson se parakushtet për zgjedhje më të mira më 3 korrik deri më tani janë përmbushur. Në raportin e mbajtur dje nga kryetari i kësaj Pranie Pavel Vacek, përpara Këshillit të përhershëm të Osbe-së në Vjenë, theksohet megjithatë se ka ende disa probleme që rrezikojnë ta pengojnë Shqipërinë që të plotësojë standartet ndërkombëtare. Sipas zoti Vacek kontestimi i rezultatit të zgjedhësve nga humbësit është kurthi më i madh që duhet shmangur

Prania e Osbe-së në Tiranë vëren se fushata aktuale elektrale po dëshmon një përparim të politikës shqiptare me një largim nga sistemi tejet i polarizuar drejt një sistemi që ofron mundësi zgjedhjeje më të qenësishme.

Kryetari i pranisë së Osbe-së në Tiranë Pavel Vacek ka mbajtur dje në Vjenë një raport mbi zhvillimet në Shqipëri, përpara Këshillit të Përhershëm të kësaj organizate. Në raportin e ambasadorit Vacek theksohet se ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme, partitë dhe kandidatët po përvijojnë platforma dhe propozime për politika që përpiqen t’u japin përgjigje shqetësimeve të publikut në lidhje me cilësinë e jetës.

Ambasadori Vacek ka bërë më pas një përshkrim të të gjithë ecurisë së përgatitjes të procesit zgjedhor. Sipas tij, deri tani parakushtet për zgjedhje më të mira janë përmbushur.

Megjithatë, paralajmëron ambasadori Vacek, mbeten ende disa probleme që të ndërthurura, kanë akoma potencialin ta pengojnë Shqipërinë që të zhvillojë zgjedhje që do të përmbushin plotësisht standartet ndërkombëtare. Mbi të gjitha, ka nënvizuar ai, kontestimi i rezultatit të zgjedhjeve nga humbësit është kurthi më i madh që duhet shmangur dhe përgjegjësia është qartazi e partive politike dhe udhëheqësve të tyre.

Ambasadori Vacek ka vlerësuar se procedurat e reja të numërimit të votave në Komisionet Zonale krijojnë hapësirë për një procedurë më transparente nën vëzhgimin vendas dhe atë ndërkombëtar. Megjithatë sipas tij ka ende disa shqetësime: mungesa e përvojës dhe vështirësitë logjistike së bashku me caktimin me vonesë të numëruesve të lejuar sipas ligjit përbëjnë pengesa të mundshme për një numërim të shpejtë dhe korrekt.

XS
SM
MD
LG