Lidhje

Mijëra vëzhgues fillojnë trajnimet për zgjedhjet e 3 korrikut


Vëzhguesit vendorë të zgjedhjeve të 3 korrikut filluan sot trajnimet mbi Kodin e Zgjedhjeve për t’u përgatitur në mbulimin e një morie problemesh ligjore e praktike gjatë procesit zgjedhor.

Specialistë të legjislacionit shqiptar nisën sot seancat mbi interpretimin e neneve të Kodit të ri për më tepër se 120 vëzhgues të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, që do t’u shtohen qindra vëzhguesve të tjerë shqiptarë dhe ndërkombëtarë.

OSBE ka bërë të ditur se ajo mund të sjellë afro 500 vëzhgues në zgjedhjet shqiptare të verës, cka përbën një shifër rekord për veprimtarinë e kësaj organizate në Tiranë, duke arritur kështu në dyfishin e vëzhguesve që solli në zgjedhjet e kaluara.

Krahas Komitetit Shqiptar të Helsinkit, në vëzhgimin e zgjedhjeve janë përfshirë edhe një grup organizatash të Koalicionit Shqiptar kundër Korrupsionit (ACAC). Do të jenë mbi 3 mijë vëzhgues të këtij koalicioni të shpërndarë në të gjithë vendin, të cilët do të nxjerrin në fund një raport të hollësishëm mbi ecurinë e fushatës zgjedhore dhe të ditës së zgjedhjeve në vecanti. Edhe ato janë duke trajtuar hollësi që lidhen me procedurat ligjore të votimit dhe problemet që mund të dalin nga listat e zgjedhësve, zonat zgjedhore dhe numërimin e votave.

Njëkohësisht me vëzhgimin e zgjedhjeve ACAC është duke monitoruar intensivisht edhe shtypin dhe radio-televizionet vendore me mënyrën sesi ato po e pasqyrojnë fushatën e partive. Vëzhguesit janë duke përgatitur raportin e periudhës së dytë të monitorimit, ndërsa në raportin e parë doli që RTVSH ia kishte kushtuar pjesën dërrmuese të programeve të veta PS dhe qeverisë, ndërsa për opozitën, krahas minutazhit disa herë më të vogël, I kishte rezervuar edhe lajme me nëntekste negative.

Zgjedhjet e përgjithshme të 3 korrikut do të jenë një nga raundet zgjedhore më shumë të vëzhguara në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri. OSBE, BE dhe organizma të tjera ndërkombëtare kanë deklaruar se këto janë zgjedhje shumë të rëndësishme për Shqipërinë dhe nga vlerësimi mbi cilësinë e tyredo të varet edhe ecuria e mëtejshme e integrimit të vendit në strukturat euroatlantike.

Këto zgjedhje vlerësohen si një nga pikat më të rëndësishme edhe për pjekurinë e demokracisë shqiptare, ndërsa vëzhguesit pohojnë se është shumë më tepër e rëndësishme që zgjedhjet do të jenë të drejta dhe të lira sesa fakti se kush do t’i fitojë ato.

XS
SM
MD
LG