Lidhje

Shqipëri: Opozita ankohet për parregullsi të shumta në listat e zgedhjësve


Saktësia e listave të votuesve është edhe në këto zgjedhje të 3 korrikut një sfidë e vështirë për administratën zgjedhore dhe forcat politike, që shpesh kanë pretenduar për prishje të qëllimshme të tyre. Për këto zgjedhje listat e votuesve u hartuan nga pushteti vendor nën koordinimin e ministrisë së pushtetit vendor dhe decentralizimit, por cilësia e punës së tyre nuk është e provuar ende. Erton Sinani, zëdhënës i KQZ, thotë: "Organet e pushtetit vendor kanë tani një rast për të treguar nëse janë në gjendje apo jo që të hartojnë lista zgjedhësish sipas standarteve ndërkombëtare apo ashtu siç e kërkon Kodi Zgjedhor. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është tejet i interesuar që saktësia e listave të zgjedhësve të jetë sa më e lartë" - thotë zëdhënësi i KQZ.

Ai thekson se Komisioni Qendror shpreson që këtë vit të shmangen të gjitha ato probleme që janë vërejtur me listat në zgjedhjet e kaluara. "KQZ shpreson që listat të jenë të sakta, korrekte me gjithë të dhënat e shtetasve, me qëllim që askush të mos mungojë të votojë për shkak të mangësive në lista" - thotë zëdhënësi Sinani

Ndërkaq, përfaqësues të opozitës pohojnë se kanë ndjekur me shqetësim vonesat në përgatitjen e listave të votuesve. Ferdinand Poni, sekretar i Partisë Demokratike për zgjedhjet kujton se 8 qershori ka qenë afati i fundit i mbylljes dhe publikimit të listave përfundimtare. "Ne kemi konstatuar një numër të madh kërkesash për regjistrime veçanërisht në qytetin e Tiranës, Vlorë, Durrës dhe jemi tepër të vëmendshëm për të parë nëse janë reflektuar apo jo këto kërkesa të qytetarëv në listat përfundimtare apo jo" - thotë Sekretari i Partisë Demokratike për zgjedhjet.

Sipas tij, nga ana tjetër ka patur edhe incidente si ai mosregjistrimit të studentëve nga minibashkia në një zonë të Tiranës. "Vlen për t’u përmendur qëndrimi flagrant në kundërshtim me ligjin e kryetarit të njësisë bashkiake nr.2, që me një vendim administrativ arbitrar nuk regjistroi studentët që kishin bërë kërkesë në përputhje me ligjin për të qenë në listat e kësaj njësie të zonës zgjedhore 38. Akti i zyrtarit vendor u shpall i pavlefshëm nga gjykata dhe ne shpresojmë që studentët të jenë në ato lista" - thotë zoti Poni.

Studentët gjithmonë kanë patur një peshë të ndjeshme në zgjedhjet që mbahen në Shqipëri. Grupimi "Dhjetori 90" punon prej disa vjetësh për të mbajtur gjallë idealet e lëvizjes studentore antikomuniste të 1990.

Përfaqësuesi i kësaj shoqate, Robert Sinani, thotë se angazhimi i të rinjve me kandidime në politikë është një dukuri e mirëpritur nga të gjithë, por edhe pjesëmarrja e rinisë shqiptare në votime është po aq e nevojshme, në mënyrë që ata të shprehin mendimin e tyre të lirë për të ardhmen e vendit. "Ne si Grupim "Dhjetor 90" ftojmë gjithë ish-studentët e dhjetorit, ish-pedagogët tanë si edhe gjithë njerëzit kudo që janë, ftojmë gjithë popullin shqiptar të marrë pjesë në këto votime, sepse janë votime shumë të rëndësishme për të ardhmen e demokracisë në Shqipëri" - thotë zoti Sinani.

Në zgjedhjet e 3 korrikut parashikohet jo zyrtarisht që të votojnë për herë të parë afro 150 mijë të rinj, të cilët u shtohen listave të mëparshme. Listat e votuesve kanë patur jo pak mungesa për shkak të emigracionit ekonomik dhe lëvizjeve të mëdha të popullsisë në rajone të ndryshme brenda vendit. //az//

XS
SM
MD
LG