Lidhje

Sekretari Rumsfeld: Iraku nuk ka hyrë në rrugë pa krye


Sekretari amerikan i mbrojtjes, Donald Rumsfeld mohoi me forcë se Iraku ka hyrë në rrugë pa krye. Ai u deklaroi anëtarëve të Kongresit amerikan se po të caktohej një afat për tërheqjen e trupave amerikane, kjo vetëm sa do t’u shtonte guximin kryengritësve.

Zoti Rumsfeld i bëri komentet gjatë një seance të përbashkët dëshmish në komisionet për forcat e armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, duke thënë se zërat se kryengritësit po e fitojnë luftën në Irak janë të gabuara.

Por komandanti më i lartë ushtarak amerikan në rajonin e Gjirit, gjenerali John Abizaid, tha në seancë se kryengritja në Irak thuajse nuk ka pësuar ndonjë rënie krahasuar me 6 muaj më parë.

Komentet e tij bëhen pas atyre të nënpresidentit Dick Cheney, i cili tha para disa ditësh se kryengritja në Irak është në grahmat e saj të fundit.

Gjenerali Abizaid shpjegoi nga ana e tij se me sa duket, në Irak po vërshojnë një numër më i madh luftëtarësh të huaj.

Seanca e sotme zhvillohet ndërkohë që shumë anëtarë të Kongresit amerikan po kërkojnë rishikimin e politikës së administratës për Irakun.

Senatori demokrat Ted Kennedy tha sot se në Irak janë bërë gabime trashanike. A nuk ka ardhur që të jepni dorëheqjen? – e pyeti ai zotin Rumsfeld.

XS
SM
MD
LG