Lidhje

Itali: lëshohen urdhër-arreste për 13 shtetas amerikanë që kanë lidhje me CIA-n


Një gjykatës italian ka urdhëruar arrestimin e 13 shtetasve amerikanë të lidhur me Agjencinë Qendrore të Zbulimit. Autoritetet italiane i akuzojnë amerikanët se dy vjet më parë kishin rrëmbyer një imam egjiptian në Milano. Gjyqëtarët italianë thonë se një imam egjiptian ishte rrëmbyer në rrugët e Milanos në shkurt të vitit 2003. Ata theksojnë se agjentë të CIA-s mbajnë përgjegjësinë për rrëmbimin e imamit, i njohur si Abu Omar, për të cilin mendohet se i përkiste një grupi terrorist islamik.

Zyra e prokurorit të Milanos lëshoi urdhërarrestet për 13 operativë të CIA-s, duke thënë se rrëmbimi i imamit egjiptian përbënte një goditje të rëndë ndaj një procesi hetimor lidhur me terrorizmin që ishte hapur në Itali. Ambasada amerikane në Romë dhe as zyrtarë të qeverisë në Washington nuk kanë pranbuar të komentojnë rreth kësaj çështjeje.

Hetuesit italianë thonë se fillimisht, agjentë amerikanë e dërguan imamin e rrëmbyer egjiptian në bazën ushtarake amerikane në Aviano të Italisë veriore dhe më pas në Egjipt. Sipas anëtarëve të familjes së imamit të rrëmbyer, ai ishte torturuar në një burg egjiptian. Njoftohet se autoritetet egjiptiane e kishin liruar Abu Omarin nga burgu për arsye shëndetësore.

Duke mos iu bindur kërkesave për të heshtur, imami i telefonoi gruas së tij në Itali dhe imamit të një xhamie në Milano. Gazetat njoftojnë se këto biseda telefonike ishin regjistruar nga policia italiane. Ato zbulojnë se imami ishte torturuan me shok elektrik nga autoritetet egjiptiane, të cilët e futën atë përsëri në burg në Egjipt dhe qysh atëherë nuk dihet gjë për të. Autoritetet italiane thonë se Egjipti nuk u është përgjigjur dy kërkesave për informacion rreth imamit.

Në Itali, hetuesit thonë se hollësitë e operacionit të CIA-s u bënë të qarta kur ata arritën të identifikonin telefonin celular të përdorur nga amerikanët dhe bisedat telefonike që ata kishin zhvilluar. Ata identifikuan edhe hotelet ku agjentët kishin qendruar në Milano dhe makinat që ata kishin marrë me qira. Zyrtarët italianë thonë se agjentët amerikanë shpenzuan më shumë se 140 mijë dollarë gjatë qendrimit të tyre në Milano.

Mendohet se që nga sulmet e 11 shtatorit 2001 kundër Shteteve të Bashkuara, Agjencia Qendrore amerikane e Zbulimit i ka shkallëzuar programet e saj të jashtëzakonshme të kapjes së një personi të dyshuar në një vend dhe dërgimin e tij në një vend tjetër për t’u marrë në pyetje nga shërbimi i zbulimit i atij vendi. Nuk është e qartë nëse shërbimet italiane të zbulimit ishin të vetëdijshme për operacionin e CIA-s në Milano.

Ish presidenti italian, Francisko Cosiga, tha dje se Italia nuk mund t’i acarojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe ka shumë mundësi që Roma të formojë një komision të posaçëm hetimor lidhur me këtë çështje.

XS
SM
MD
LG