Lidhje

Shqipëri: Mungesa e fondeve - pengesë për strategjinë e luftës kundër drogës


Në Shqipëri numri i përdoruesve të drogës sa vjen e rritet. Deri tani janë rreth 40 mijë përdorues droge në vendin e izoluar për gjysëm shekulli nga regjimi komunist, ndërsa po ashtu në rritje është edhe numri i atyre që i marrin drogat me rrugë intravenoze. Ligjet e reja nuk po ndikojnë ende për të ndryshuar këtë gjendje të vështirë.

Shqipëria ka tani ligjet e nevojshme dhe një strategji për trajtimin e problemeve të përdoruesve të drogës, ndërsa zbatimi i saj me veprime konkrete është ende i pamjaftueshëm. Drejtorja e Institutit të Shëndetit Publik, Silva Bino, thotë se strategjia po mbështetet në studime të hollësishme mbi realitetin e përdoruesve të drogës.

"Ne po bëjmë një mbikëqyrje, por natyrisht shkalla e mbikëqyrjes tonë duhet të rritet. Ajo që dua të theksoj është numri jashtëzakonisht i ulët i përdoruesve intravenozë të drogave që janë me HIV-AIDS" - thotë zonja Bino. Sipas saj, nga një vëzhgim i sapopërfunduar doli se vetëm një numër minimal i personave të droguar vuajnë edhe nga sëmundja e HIV-AIDS, gjë që tregon se së paku ata nuk nuk po infektohen nga AIDS me shiringat e drogës.

Projekti më i fundit për ta është dhënia e metadonit falas, një ilaç që lehtëson dhimbjet dhe shkëput përdoruesit nga efektet e drogës. "Mesazhi që dua të jap është që familjarët duhet të jenë të durueshëm, të mos i penalizojnë fëmijët e tyre, t'u qëndrojnë sa më afër atyre dhe të kenë besim në programet e parandalimit" - tha zonja Bino.

Shoqatat e ndryshme joqeveritare janë ato që po bëjnë përpjekjet më të mëdha për të frenuar shtrirjen e drogës në rradhët e të rinjve dhe rehabilitimin e të prekurve. "Edhe strategji janë bërë... Madje kjo është strategjia e dytë që është bërë tani, por strategjitë mbeten në letër. Zë strategjia strategjinë pa u implementuar ndonjë gjë sepse nuk ato buxhetohen" - thotë Genc Muçollari një veprimtar vullnetar kundër drogës. Njëra prej shoqatave më të njohurave është shoqata "Aksion Plus".

Drejtuesi i saj, Genc Muçollari, thotë se numri i përdoruesve të drogës po rritet shpejtësi. "Shifrat variojnë nga 30 - 40 mijë, por nga burime të tjera si media del se numri është edhe i kapërcyer. Edhe në kohën që ne flasim zhvillohen shumë drama qoftë individuale, qoftë familjare. Ka shumë individë nën drogë që mendojnë tani dhe pas gjysëm ore se ku do ta gjejnë drogën, ku do të gjejnë paratë për të" - thotë zoti Muçollari.

Një numër shqetësues në rritje përbëjnë ata përdorues që e marrin drogat me injeksion nga venat. "Metadoni shpëton jetë. njerëzit po vdesin nga overdoza. Përditë i gjejmë poshtë urave, të tjerë pësojnë dëme shëndetësore që nuk i llogaritim dot. Kualiteti i jetës së tyre është shumë i ulët" - thotë zoti Muçollari.

Ekspertët vlerësojnë se shtimi i numrit të përdoruesve të drogës në Shqipëri duhet të shoqërohet me masa parandaluese dhe mjekësore shumë më të mëdha, sepse duket se shoqëria ende nuk e njeh rrezikun ku është përfshirë, dhe vetëm mbledh pasojat e kësaj fatkeqësie.

XS
SM
MD
LG