Lidhje

Berisha: Shtylla e programit tonë është liria dhe konsolidimi i saj


Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha thotë se nëse vjen në pushtet ai do të godasë monopolet dhe do të bëjë ndryshime në ligjin për konfliktin e interesave. Zoti Berisha premtoi gjithashtu në një intervistë me Zërin e Amerikës respektimin e institucioneve kushtetuese të vendit dhe njohjen e pavarësisë së tyre.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, fillimisht ju falenderoj që pranuat këtë intervistë. Partia juaj dhe koalicioni i djathtë e kanë mbështetur fushatën elektorale në një program mjaft agresiv dhe me premtime të shumta. Do të doja të dija se cilat do të ishin ato masa që juj mendoni t’i realizoni në rast fitoreje brenda 100 ditëve të para të qeverisjes suaj.

Sali Berisha: Njëqind ditët e para do të jenë 100 ditët më aktive të jetës sime. Janë të përgatitur një seri e madhe vendimesh, aktesh ligjore në mënyrë që këto 100 ditë të shënojnë themelin e ndryshimit dhe të kthesës që presin shqiptarët. Kam deklaruar dhe deklaroj se javën e parë do të vendos përgjysmimin e taksave të biznesit të vogël, e cila është një faturë rreth 20 milion dollarë mangut në buxhetin e shtetit, po të kemi parasysh se bëhet në gjysmë viti, do të thotë 10 milion dollarë. Akti im i dytë do të jetë kompensimi i këtyre 10 milionëve me shkurtimin e shpenzimeve në administratën publike në mënyrë që të ecet në mënyrë të balancuar. Së dyti, do të vendoset që në buxhetin e ardhshëm fondet për qeverisjen vendore, nga 6 përqind që janë sot të kalojnë në 24 përqind, sepse që në muajt e parë do të hartohet ligji i buxhetit. Së treti, do të ribëhet ligji i buxhetit në kuptimin që financat qendrore dhe publike duhet të jenë totalisht transparente. Askush të mos mundë të përdorë buxhetin për qëllime politike. Shpërndarja e tij të bëhet sipas kritereve të qarta ligjore, jo siç ndodh sot që tetë vjet rrjesht nuk publikuan kurrë buxhetet e rretheve, vetëm se ato përdoren sipas oreksit të politikanëve për të diskriminuar. Merr fund menjëherë çdo formë diskriminimi që u bëhet qeveritarëve vendorë për shkak të përkatësisë së tyre partiake. Do të hapen dyert e universiteteve. Do të amendohet ligji për konfliktin e interesave, ku familjarët e qeveritarëve nuk do të mund të merren me biznes nëse këta qeveritarë duan të qendrojnë në politikë, në funksione ministrash dhe zyrtarësh të lartë. Do të amendohet ligji i prokurimeve publike. Do të sillet në standardet ndërkombëtare në mënyrë që të mos ketë më prokurime direkte dhe prokurime të dyshimta. Do të amendohet ligji i koncesioneve. Banka Botërore dy muaj para më ka ngritur në këtë zyrë shqetësimin e madh se janë me dhjetra afera koncesionale të tëra jashtë standardeve ndërkombëtare dhe në kundërshtim me interesat publike të shqiptarëve. Do të krijohet një task force kundër kurrupsionit që do të kryesohet direkt nga kryetari i qeverisë, jo ta spostojë përgjegjsësinë tek anëtarë të caktuar të qeverisë. Do të bëhet heqja kolektive e imunitetit – në fakt nuk është heqje e imunitetit – por modelimi i interpretimit të imunitetit me vende të tjera perëndimore. Nuk do të ketë imunitet për korrupsion dhe krimin e zakonshëm. Do të krijohet institucioni i ombudsmenit të pavarur të prokurimeve i cili do të bëjë shqyrtimin e prokurimeve të administratës publike. Do të dyfishohen në ligjin e buxhetit shpenzimet për arsimin, nga 2.6 në 4.2.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, të gjitha këto premtime kanë megjithë një kosto të lartë financiare. Ju keni deklaruar se do ta mbuloni këtë me atë 1.4 miliard euro të munguar për shkak të evazionit fiskal. A nuk duket se këto premtime kanë një ngarkesë të madhe elektorale, duke patur parasysh se evazioni fiskal nuk është një luftë që mund të fitohet brenda një dite, as një muaji apo disa muajsh.

Sali Berisha: Mendoj se Shqipëria ka një specifikë. Evazioni fiskal në Shqipëri në masën 70 përqind të tij vjen nga monopolet . Monopolistët e naftës përvetësojnë 130 milion dollarë nga akciza e saj. Ata zhdoganojnë vetëm 250 mijë ton kundrejt 1 milion ton që është importi. Në fakt unë bëra një vizitë në port dhe sinqerisht ju ftoj edhe ju të shkoni. Të krijonte një sentiment absolutisht filmik. Takova peshkatarët dhe persona të tjerë. Ishte rrënqethës tregimi i tyre për portin. Porti ishte i tëri në funksion të kontrabandës. Të vetmit që kontrolloheshin ishin peshkatarët dhe biseda me ta më impresionoi shumë. Më shpjeguan gjithë procesin se si i kontrollon policia kur dalin dhe si nuk i lejon të dalin pas orës 10 e kështu me radhë, në një kohë kur është absolutisht dhe publikisht e njohur që periodikisht dhe çdo javë anije të tëra shkarkohen kontrabandë dhe nuk flet kush me to. Në fakt shteti po të dojë i ndalon brenda një jave në qoftëse vendos. Pra do merremi me monopolet. Pasi të shemben monopolet të cilat grabisin rreth 1 miliardë, të marra së bashku – jo vetëm nafta por edhe hekuri, xhami, ushqimet. Kudo që shkoj më ka bërë shumë pështypje kërkesa e njerëzve: na shpëto nga monopolet. Imagjinoni, edhe në Divjakë ndodh kjo, ku ka një monopol nga veriu një nga jugu. Është fjala për Dukën dhe Gjinushin që kanë marrë me qindra hektarë. Pra kërkohet vullneti politik. Këtu kam dosje të shumta që flasin për këtë dhe çdo gjë është e vulosur dhe e firmosur nga punonjës të kësaj administrate.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, ju e keni mbështetur fushatën tuaj në atë që shprehet me fjalinë “Është koha për ndryshim”. Pikërisht kundërshtarët tuaj po ju sulmojnë në këtë pikë, duke thënë se ju dhe politikat e partisë suaj nuk kanë ndryshuar. Cilat do të ishin raportet e qeverisë suaj me institucionet e pavarur si prokuroria, sistemi gjyqësor, avokati i popullit, kontrolli i shtetit, media apo edhe opozita pasi kundërshtarët tuaj ju kanë akuzuar se gjatë viteve që ju keni qeverisur, 92-97 i keni përdorur këto institucione për qëllime politike.

Sali Berisha: Parim themelor i imi është respektimi i kushtetutshmërisë që do të thotë të respektosh institucionet kushtetuese të vendit, të njohësh pavarësinë dhe funksionimin e tyre. Ky është qendrimi im në këtë kontekst. Së dyti, më duhet të theksoj se nuk është se nuk ka patur gabime. Ato janë një mësim për të mos u përsëritur por ne vimë këtu si një koalicion ku ka edhe kundërshtarë të mij deri para dy-tre muajve. Mendoj se nuk kanë ardhur për t’ju servilosur Sali Berishës, nuk kanë ardhur për një copë karrige sepse nuk kanë keq në pozicionet e tyre por kanë ardhur për ato parime që ata besojnë dhe ata u besojnë vlerave. Unë e kam shpallur dhe e shpall: shtylla e programit tonë është liria dhe konsolidimi i saj. Ka edhe një gjë tjetër: Po të shohësh reformat, reformat 92-96 kishin disa detyra shumë të vështira – terapinë e shokut, mbylljen e të gjitha industrive jo-fitimprurëse. Sot reformat nga alfa tek omega në tërësinë e tyre synojnë konsolidimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve shqiptarë, sjelljen e këtyre lirive në standardet evropiane dhe perëndimore.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, zgjedhjet në Shqipëri kanë patur thuajse gjithmonë probleme. Në vitin 2001 ju denoncuat për manipulime. Në 2003-shin pati probleme me lista. Tani që kanë mbetur pak ditë nga votimi, a ka sipas jush probleme serioze që mund të venë pikëpyetje procesin zgjedhor?

Sali Berisha: Jam zotuar para shqiptarëve se do të bëj çdo përpjekje për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Informohem çdo ditë dhe gjer sot nga asnjë parti, nga asnjë kundërshtar nuk ekziston asnjë ankesë zyrtare për ndonjë kandidat, staf apo segment të Partisë Demokratike që të ketë shkelur ligjin zgjedhor. Ky është detyrimi im. Së dyti, të besosh se Fatos Nano, i cili i ka dhunuar të gjitha proceset zgjedhore qëkurse ka ardhur në pushtet, është për zgjedhje të lira, kjo është njësoj sikur t’i besosh rrethit katror. Ne presim, ndjekim dhe shohim por një gjë është jashtëzakonisht pozitive kësaj here: si asnjëherë tjetër, qytetarët shqiptarë kanë marrë në dorë si mision ndryshimin dhe problemin e votimeve.

Zëri i Amerikës: Pra, deri më sot, a ka pengesa serioze për këtë proces?

Sali Berisha: Të gjitha ankesat që kemi patur i kemi paraqitur publikisht por ne kemi vazhduar përpara. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me komunitetin ndërkombëtar për të gjitha problemet, pa diskutim, por drejtimi është të ecim para. Pra të bëjmë përpjekjet tona për proces të lirë e të ndershëm.

XS
SM
MD
LG