Lidhje

SHBA: Largimi i gjyqtares O’Connor i hap rrugën një debati të ashpër mes republikanëve dhe demokratëve


Republikanët dhe Demokratët e senatit amerikan po përgatiten për një betejë të mundshme politike, lidhur me kandidaturën e një gjykatësi të ri që Presidenti Bush do zgjedhë për Gjykatën e Lartë. Ekspertët thonë se njoftimi i djeshëm i papritur i gjyqtares Sandra Day O’Connor se ajo do të dalë në pension, ka hapur një debat të ashpër politik në Washington.

Gjyqtarja O’Connor që u bë anëtare e gjykatës së lartë në vitin 1981, ka luajtur një rol vendimtar në shumë çështje që kanë pasur të bëjnë me çështje shumë polemike si aborti dhe dënimi me vdekje. Republikanët po i kërkojnë zotit Bush që emërojë një konservator të prerë si kryegjyqtari William Renquist, ose anëtari i gjykatës Antonin Scalia.

Senatorë demokratë me peshë po i bëjnë thirrje presidentit që të emërojë një kandidat më të moderuar. Ata thonë se do të luftojnë nëse vendoset ndonjë kandidat me pikëpamje të skajshme konservatore. Presidenti Bush thotë se nuk ka ndër mend të shpallë ndonjë kandidaturë para fundit të javës së ardhshme.

Sandra Day O’Connor ka qenë anëtare e Gjykatës së Lartë amerikane për 24 vjet. 12 vitet e para në këtë post në gjykatën e lartë ajo ishte e para dhe e vetmja anëtare grua, derisa Ruth Bader Ginsburg u bë anëtare në vitin 1993. Megjithëse ishte rrethuar nga anëtarët burra, Sandra day O’Connor luajti një rol qendror në aktivitetin e gjykatës.

Vitet e fundit, analistët e fushës së drejtësisë shpesh e kanë quajtur Gjykatën e Lartë, gjykata e O’Connorit për shkak të ndikimit të saj të madh. Ajo është konsideruar një centriste në një gjykatë që disa herë ka patur mosmarrëveshje të hidhura mes anëtarëve liberalë dhe konservatorë. Për shumë raste të shqyrtuara vendimi është marrë me një ndarje votash 4 me 5 dhe vota e saj ka qenë vendimtare.

Gjyqtarja O’Connor thuhet se u ka bërë rezistencë kolegëve të saj konservatorë për çështje polemizuese si e drejta e grave për abort, politikat për balancë raciale mes studentëve dhe mbrojtjen e të drejtave individuale të të ndaluarve për aktivitete anti-terroriste.

Pak pasi letra e dorëheqjes e gjykatëses O’Connor mbërriti dje në Shtëpinë e Bardhë, presidenti doli në podium dhe vlerësoi kontributin e saj në sistemin e drejtësisë.

“Gjatë gjithë aktivitetit të saj në gjykatë, ajo ka qenë një gjykatëse e mprehtë dhe e ndërgjegjshme dhe një zyrtare publike me integritet të jashtëzakonshëm”.

Presidenti Bush është i vetëdijshëm se emërimi i personit që do të zëvendësojë atë duhet bërë shpejt. Sipas njoftimeve, Shtëpia e Bardhë e ka një listë me kandidatët më të mundshëm dhe dje presidenti Bush u tha gazetarëve se kandidati do të zgjidhet shpejt.

“Do ta bëj emërimin shpejt, në mënyrë që seanca dhe votimi për të bëhen para se të fillojë mandati i Gjykatës së Lartë”.

Emërimi i të paktën një anëtari të gjykatës së lartë gjatë një administrate i jep një shans të madh një presidenti që të përcaktojë drejtimin e sistemit ligjor amerikan për shumë vite të ardhshme. Ky do të jetë emërimi i parë i presidentit Bush në Gjykatën e Lartë dhe Ralph Neaps, kreu i organizatës liberale Njerëzit për Rrugën Amerikane, thotë se bëhet fjalë për një vendim të rëndësishëm.

“Është një përplasje e madhe mes dy filozofive krejtësisht të ndryshme në luftë me njëra-tjetrën”.

Prej muajsh organizatat liberale dhe konservatore bëjnë përgatitje për një nga betejat më të ashpra politike në vitet e fundit në Washington. Ka patur shumë spekullime se kryegjyqtari William Rehnquist do të ishte i pari që do të dilte në pension në fund të sesionit të këtij viti të gjykatës. Ai vuan nga kanceri në tiroide. Por sesioni u mbyll pa ndonjë njoftim të tillë.

Megjithatë ende mbeten spekullime për daljen e mundshme në pension të zotit Renquist në të ardhmen e afërt. Mundësia për emërimin e dy gjyqtarëve do t’i jepte Presidentit Bush një shans të madh për të ndryshuar përbërjen e gjykatës. Por kandidaturat e tij duhet të miratohen nga senati. Dhe një gjë e tillë do të ishte një provë force mes shumicës republikane dhe pakicës demokrate.

XS
SM
MD
LG