Lidhje

Amb. Aide: Është e vështirë të kesh rritje ekonomike në Kosovë pa pasur burimet


Zëri i Amerikës: Zoti ambasador, e dimë se nuk jeni këtu për të folur për raportin që do t’i jepni Këshillit të Sigurimit dhe Sekretarit të Përgjithshëm, a jeni ju i ndërgjegjshëm për ndikimin e madh që do të ketë raporti juaj për një popullsi të tërë, për jetën e tyre të përditshme dhe të ardhmen e tyre, për një popullsi që është më shumë se një million e gjysëm?

Amb. Kai Aide: Po, jam i ndërgjegjshëm për këtë, prandaj është një barrë e madhe. Nuk ka dyshim për këtë. Do të bëjmë sigurisht çfarë të mundemi për t'iu përgjigjur seriozisht përgjegjësisë që na është dhënë. Por mund t'iu siguroj se jemi të ndërgjegjshëm për këtë dhe prandaj e përsëris vazhdimisht se do të përdorim gjithë kohën që na duhet dhe do të paraqesim një raport që është i besueshëm dhe solid. Mund t’i besoni integritetit tim në këtë aspekt. Do të bëj më të mirën që mundem për të bërë një raport që i përgjigjet sfidës, dhe barrës që nënkupton ajo.

Zëri i Amerikës: Të dyja palët kryesore në Kosovë, shqiptarët dhe serbët janë dukshëm shumë të interesuar për raportin tuaj. A ka pasur ndonjë përpjekje për të ndikuar tek ju, apo edhe për t'ju bërë ndonjë presion?

Amb Kai Aide: Sigurisht jo dhe kjo është shumë mirë, sepse nuk kam pasur përvojë të ndonjë përpjekje për ndonjë lloj presioni. Ajo që kam përjetuar është ndikimi nga njerëzit që thonë historinë e tyre, duke ndarë historitë e jetës së tyre, çfarë mendojnë, çfarë shpresojnë, kjo është ajo që dua, dua të shoh sa më shumë pjesë të realitetit që është e mundshme. Por ajo që ju e paraqitet si presion, nuk është ajo që kam përjetuar, dhe nuk do ta përjetoj. Mund t’ju siguroj se nuk do të funksionojë, dhe ju siguroj se do të paraqesim një raport të pavarur tek sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara.

Zëri i Amerikës: Eshtë folur shumë për përmbushjen e standarteve, por ka shumë vende të tjera që nuk mund t’i përmbushin këto standarte, të tilla si ekonomia, punësimi. A mendoni vërtet se Kosova mund t’i përmbushë këto standarte, të gjitha, për një kohë kaq të shkurtër, në kushte të tilla, me një buxhet të kufizuar dhe gjëra të tjera si këto?

Amb. Kai Aide: Është jashtëzakonisht e vështirë të kesh rritje ekonomike në Kosovë para se të kesh burimet në dorë, kjo është e dukshme. Edhe në fusha të tjera, sfidat janë shumë të mëdha, por ne besojmë se do të jetë e mundshme të bëhet përparim më shumë sesa kemi parë deri tani. Shpresojmë se në javët që vijnë, do të shohim angazhim nga udhëheqësit politikë nga të dyja palët për të bërë përparim dhe për t'u përballur me sfidat. Ne vetëm do të shkruajmë raportin, ata duhet të bëjnë përparim, barra është për ata që të sigurojnë se do të kenë shoqërinë që duan, siç është ligji dhe rregulli, institucione të qëndrueshme dhe demokratike, zhvillim ekonomik. Është barra e tyre, unë do të shkruaj raportin, mund të ndikoj që të shkohet përpara më me shpejtësi dhe më gjallërisht, por barra është e tyrja kur bëhet fjalë për përparimin për të cilin kemi nevojë.

Zëri i Amerikës: A do të thotë kjo se bëhet fjalë më shumë që të shkohet përpara më fuqishëm në drejtimin e duhur sesa plotësimi 100 përqind i standarteve?

Amb. Kai Aide: Do ta gjykojmë gjendjen kur të vijmë tek ai udhëkryq, jo tani, jo nesër, por kur të kemi përfunduar të gjitha vizitat dhe diskutimet tona, atëherë do të ulemi dhe do të reflektojmë përsëri nën dritën e gjithë asaj që kemi përjetuar dhe do të shohim nëse është bërë përparim i mjaftueshëm dhe mbi atë bazë do të bëhet raporti. Cdo spekullim tjetër në këtë fazë nuk do të ishte gjë e mençur, sipas meje.

XS
SM
MD
LG