Lidhje

Bosnje: Vazhdojnë ceremonitë me rastin e 10 vjetorit të masakrës së Srebrenicës


Në qershor u publikua një videokasetë që tregonte anëtarë të një njësie paramilitare sërbe duke ekzekutuar djem pas marrjes nën kontroll të Srebrenicës. Presidenti i Sërbisë, Boris Tadic, e quajti videokasetën provë të një krimi monstruoz të kryer kundër njerëzve të një feje tjetër.

Pjesëmarrësit në konferencën e Sarajevës, qëllimi i të cilës është pajtimi mes myslimanëve dhe sërbëve të Bosnjes, thonë se kjo videokasetë ka patur efekt në Sërbi.

Michael Johnson, prokuror amerikan që shërben si këshilltar i boshnjakëve të të gjitha grupeve etnike në gjyqet për krimet e luftës, ka vënë rë një ndryshim të ndjeshëm në qendrimin e qeverisë sërbe. Ai beson se Sërbia tani po përpiqet të gjejë ish komandantin e ushtrisë së sërbëve të Bosnjes, Ratko Mladic, i cili akuzohet për krime lufte. Ai dhe ish udhëheqësi i sërbëve të Bosnjes gjatë luftës, Radovan Karadzic, janë ende të lirë.

Zoti Johnson thotë se Serbia do që ta braktisë këtë të kaluar.

“Sërbia e ka izoluar veten në disa drejtime nga komuniteti botëror për shkak të trajtimit të njerëzve si Ratko Mladiçi. Ai përfaqëson të kaluarën e Sërbisë. Besoj se kjo e kaluar duhet lënë mënjanë. Dhe për mendimin tim ata e kanë të qartë këtë”.

Tom Emmert, historian në Kolegjin Gustavus Adolphus në Minnesota, thotë se pajtimi do të jetë më i vështirë për myslimanët e Bosnjes sesa për sërbët.

“Sërbëve nuk u është dashur të nxjerrin trupat e të vdekurve nga varret gjatë 10 vjetëve të fundit. Ata nuk kanë përjetuar tmerret e përditëshme si populli i Bosnjes”.

10 vjet pas masakrës së Srebrenicës, sipas analistëve, ende nuk ka filluar procesi i pajtimit.

Në rrugët e Sarajevës dje, mijra njerëz ishin mbledhur për t’i bërë nderimet e fundit viktimave myslimane të Srebrenicës, kur kortezhi i përmortshëm me trupat e nxjerra nga varret masive kaloi para tyre. Ata do të varrosen të hënën në varrezat përkujtimore në periferi të Srebrenicës. Presidenti sërb, Tadic dhe homologu i tij i sërbëve të Bosnjes, Dragan Cavic, pritet të marrin pjesë në ceremoni.

XS
SM
MD
LG