Lidhje

Çështja e zbulimit të identitetit të agjentes së CIAs


Presidenti Bush thotë se nuk do të nxitohet për të paragjykuar këshilltarin e tij politik, Karl Rove, megjithë njoftimet për rolin e tij të mundshëm në nxjerrjen e identitetit të një agjenteje sekrete të CIA-s në vitin 2003.

Presidenti foli sot në një konferencë shtypi në Washington, ku ai tha se nuk do të bënte komente lidhur me vazhdimin e hetimeve për këtë çështje. Ligjvënësit demokratë po i bëjnë thirrje presidentit ta shkarkojë zotin Rove.

Ligjvënësit thonë se Presidenti Bush ishte zotuar se do të shkarkonte cilindo që do të mësohej se është përfshirë në përpjekjet për zbulimin e identitetit të agjentes Valerie Plame.

Këtë javë, revista Newsweek citoi avokatin e zotit Rove të ketë konfirmuar se klienti i tij kishte folur me një gazetare lidhur me agjenten e CIA-s në vitin 2003. Por, avokati i zotit Rove tha se klienti i tij nuk e ka nxjerrë asnjëherë emrin e agjentes Valerie Plame. Bashkëshorti i zonjës Plame, ish-ambasador, ka thënë se identiteti i gruas së tij ishte bëri i njohur si shpagim për kritikat e tij për luftën në Irak.

Cili është Karl Rov?

Karl Rove, zëvendës shef i stafit të Shtëpisë së Bardhë është një nga këshilltarët politikë më të besuar të Presidentit, i cili e quajti atë arkitektin e fitores në zgjedhjet e vitit 2004. Por tani ky mjeshtër i strategjive politike është në qendër të një hetimi federal lidhur me nxjerrjen e emrit të një operativeje sekrete të CIA-s.

Presidenti Bush nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve mbi zotin Rove dje. Por zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Scott McClellan thotë se Presidenti i qendron në krah zotit Rove. “Çdo individ që punon në Shtëpinë e Bardhë gëzon besimin e Presidentit, përndryshe ata nuk do të punonin këtu”.

Për të dytën ditë, zoti McClellan iu shmang pyetjeve të vazhdueshme për nxjerrjen e informacionit gjatë konferencës së tij të përditshme për shtyp.

Çfarë donte të arrinte Karl Rove me atë bisedë”.

“Kjo pyetje ka të bëjë me një hetim ende të pambyllur”.

“Të lejojmë që hetimi të vazhdojë”...“Nuk kam ndër mend të diskutoj për hetimin aktualisht”

Revista Newseek ka bërë publik një mesazh elektronik, sipas së cilit zoti Rove ka folur me një gazetar në vitin 2003 dhe mesa duket la të kuptohej identitetin e agjentes së CIA-s Valerie Plame. Ajo është bashkëshortja e ish-ambasadorit Joseph Wilson, një kritik i ashpër i luftës së Irakut. Identifikimi i një agjenti sekret është një vepër penale federale.

Gazetari që foli me zotin Rove, Matt Cooper, pranoi ta diskutojë çështjen me hetuesit federalë. Por gazetarja tjetër Judith Miller, u burgos sepse nuk pranoi të nxirrte burimin. Në vitin 2003, Presidenti Bush tha se cilido t’ia kishte dhënë emrin e agjentes medias, do të paguante një çmim. “Nëse del një informacion i paautorizuar nga administrata ime, dua ta di se kush e ka bërë dhe nëse ka shkelur ligjin, ndaj atij personi do të merren masa”.

Anëtarë të pakicës demokrate po kërkojnë tani që presidenti të marrë masa. Senatori Charles Schummer i New Yorkut thotë: “I kërkoj presidentit të rikonfirmojë se do t’i shkojë deri në fund çështjes së zbulimit të identitetit të agjentes Plame dhe të shkarkojë personat përgjegjës, edhe nëse bëhet fjalë për bashkëpunëtorin e tij të vjetër Karl Rove”.

Anëtari demokrat i Kongresit Frank Pallone nga New Jersey kërkon shpjegime. “Kjo punë mori fund. Zëvendës shefi i stafit duhet të vijë para Kongresit dhe t’u përgjigjet pyetjeve për këtë çështje”. Avokati i zotit Rove këmbëngul se klienti i tij nuk ka nxjerrë kurrë me vetëdije informacion sekret.

XS
SM
MD
LG