Lidhje

Shqipëri: Shpallen rezultatet e proporcionalit: 22 vende për të majtën dhe 18 për të djathtën


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nxori sot rezultatet përfundimtare të ndarjes së 40 mandateve të sistemit proporcional të cilat i japin së majtës 22 vende dhe 18 vende të djathtës. Me këto të dhëna dhe rezultatet e deritanishme të nxjerra pas vendimeve të komisionit qendror të Zgjedhjeve e djathta siguron një shumicë prej 73 vendesh në parlament, ndërkohë që ende nuk janë përcaktuar 3 zona të tjera.

Parlamenti i ardhshëm i Shqipërisë do të përbëhet nga 12 forca politike. Tashmë kjo është zyrtarizuar pas shpalljes sot nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të ndarjes së 40 vendeve të sistemit proporcional. E djathta ka përfituar 18 vende, ku mbizotëron partia republikane me 11 deputetë, ndërsa Lëvizja për Zhvillim Kombëtar e pretendentit të Fronit Mbretëror Leka Zogu ka mbetur përfundimisht jashtë parlamentit.

E majta ka përfituar 22 vende ku 7 i përkasin socialidemokratëve, ndërsa mandatet e tjera janë ndarë mes Lëvizjes socialiste për Integrim dhe 4 partive të tjera që gjatë fushatës u konsideruan aleate të socialistëve dhe përfituan votat e saj gjatë aplikimit të skemës elektorale.

Rezultatet e sotme të mandateve të sistemit propocional dhe vendimet e deritanishme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tregojnë tashmë qartë dhe pa mëdyshje se e djathta ka shumicën e mjaftueshme për të formuar qeverinë, me të paktën 73 deputetë, ndërkohë që ende nuk njihen rezultatet e tre zonave.

Nëse do t’i hynin përllogaritjeve matematikore dhe faktit që perveç tre zonave pa rezultat vetëm në dy të tjera, për shkak të ankimeve, është i mundshëm një ndryshim i fituesit, atëherë shumica e re do të luhatet mes 71 dhe 76 deputetëve.

Derisa të mësohet përfundimisht rezultati i saktë do të duhet ende kohë. Komisioni qëndror I Zgjedhjeve nis tashmë shqyrtimin e 107 ankesave për pavlefshëmri të zgjedhjeve në 60 zona. Ndërsa në zonën 2 ku ditën e votimit nuk u hapën 17 qendra, me shumë gjasa do të rivotohet tërësisht nga e para, është gjithashtu e mundur që për shkak të problemeve të hasura të ketë rivotim edhe në 2 zona të tjera. Megjithatë fjala e fundit do t’i përkasë Kolegjit zgjedhor.

Pikërisht paqartësia mbi numrin e saktë të deputetëve ka bërë që partia

demokratike të shohë seriozisht mundësinë e zgjerimit duke i bërë

ftesa partive që e mundësuan hyrjen në parlament falë votave të socialistëve, apo që si agrarët e Xhuvelit dhe demokracisë socialiale të Milos e ndërtuan fushatën duke sulmuar pikërisht figurën e zotit Berisha.

XS
SM
MD
LG