Lidhje

Pas nxjerrjes së identitetit të agjentes së CIAs


Emri i një prej këshilltarëve më të besuar të presidentit Bush, Karl Rove, është përfshirë tani në një debat politik dhe ligjor, lidhur me nxjerrjen e emrit të një agjenteje të CIA-s para 2 vjetësh.

Në qendër të çështjesh kontradiktore lidhur me zotin Rove është një deklaratë e bërë nga presidenti Bush në fjalimin e tij mbi gjendjen e vendit në vitin 2003 rreth përpjekjeve të udhëheqësit të atëhershëm irakian, Sadam Husein për të ndërtuar një program armësh bërthamore. “Qeveria britanike ka mësuar se kohët e fundit Sadam Huseini është përpjekur të zotërojë sasi të mëdha uraniumi nga Afrika.”

Më vonë Shtëpia e Bardhë e tërhoqi vlerësimin, pasi u mësua se kjo deklaratë mbështetej në dokumente false.

Në korrik të vitit 2003, ish ambasadori amerikan Joseph Wilson shkroi në gazetën The New York Times, se ai ishte dërguar në Niger nga CIA para një viti, për të parë në se uraniumi kishte lidhje me Irakun, por nuk kishte gjetur prova që një marrëveshje e tillë të ishte arritur.

Zoti Wilson akuzoi gjithashtu administratën e presidentit Bush për shtrëmbërimin e informacioneve të zbulimit rreth programit të armëve bërthamore të Irakut për të ekzagjeruar kërcënimin irakian. Pak ditë më vonë, gazetari Robert Novak shkroi një artikull në të cilin thoshte se zyrtarë të administratës së presidentit Bush i kishin thënë atij se ideja për misionin e ambasadorit Wilson në Niger e kishte origjinën tek bashkëshortja e tij, Valerie Plame, agjente e CIA-s.

Në disa rrethana, zbulimi i identitetit të një agjenti sekret zbulimi mund të jetë akt kriminal. Kjo është edhe arsyeja që prokurorit të posaçëm Patrick Fitzgerald iu kërkua të hetonte për këtë çështje në dhjetor të vitit 2003.

Ndërlikimi i këshilltarit të presidentit, Karl Rove në këtë çështje u konfirmua kohët e fundit nga avokati i tij, i cili tha se klienti i tij diskutoi rreth agjentes Valerie Plame me gazetarin e revistës Time, Matthew Cooper, por pa përmendur ndonjë emër. Ish ambasadori Joseph Wilson thotë se presidenti Bush duhet të përmbushë angazhimin e tij kur tha se do të shkarkojë këdo, që me dashje nxjerr identitetin e një operativi zbulimi. “Pavarësisht në se është shkelur një ligj apo jo, e kam më se të qartë se janë shkelur standartet etike që duhet të respektojnë zyrtarët e lartë të shërbimit publik. Dhe kjo është arsyeja që unë nuk kam bërë thirrje për dorëheqjen e Karl Rove, por që presidenti të mbajë fjalën e tij, kur tha se do të shkarkonte këdo që kishte gisht në nxjerrjen e identitetit.”

Demokratët e opozitës kanë përfituar nga debati rreth zotit Rove për të kërkuar që ai ose të shkarkohet ose të paktën t’i pezullohet e drejta për të marë informacione shumë sekrete. Ja si u shpreh senatori demokrat nga Massachusetts, John Kerry. “Besueshmëria e Shtëpisë së Bardhë është në pikpyetje për sa i përket kësaj çështjeje dhe për mua është më se e qartë që Karl Rove duhet të shkarkohet.”

Shtëpia e Bardhë thotë se presidenti Bush ka ende besim tek zoti Rove, i cili ka qënë një ndër këshilltarët e tij politikë më të besuar që kur zoti Bush ishte guvernator i Texasit. Presidenti ka thënë se nuk do të bëjë komente deri sa prokurori i posaçëm të përfundojë hetimet e tij. “Kam udhëzuar çdo anëtar të personelit tim që të bashkëpunojë plotësisht me procesin hetimor. Në të njëjtën kohë nuk do të bëjë një gjykim para se të përfundojë hetimi duke u bazuar në njoftimet e shtypit.”

Republikanët në kongres kanë mbështetur zotin Rove. Ata i kanë akuzuar demokratët se po e shndërojnë hetimin rreth nxjerrjes së emrit të agjentes së CIA-s në një çështje politike si mënyrë për të goditur presidentin.

Çështja kyçe ligjore vazhdon të jetë në se Karl Rove ose zyrtarë të tjerë të administratës kanë nxjerrë me dijeni identitetin e Valerie Plame gjatë diskutimeve me gazetarë. Gazetari i revistës Time, Matthew Cooper ra dakord të dëshmonte para një jurie të madhe, pasi zoti Rove, i tha atij se mund ta bënte publike bisedën që kishin bërë. Por gazetarja e New York Timesit, Judith Miller vazhdon të jetë në burg sepse nuk pranoi të dëshmonte rreth kontakteve të saj me zyrtarë të qeverisë lidhur me çështjen e nxjerrjes së identitetit të zonjës Plame.

XS
SM
MD
LG