Lidhje

Kosovë: Raporti i zotit Aide pritet të jetë gati brenda shtatorit


Kosova vazhdon të ecë hap pas hapi në rrugën drejt fillimit të negociatave për statusin e saj përfundimtar. Shqiptarët e Kosovës besojnë se ka mundësi që bisedimet mbi statusin përfundimtar të fillojnë në tetor të këtij viti.

I dërguari norvegjez, Kai Ajde, po përgatit një raport, në të cilin do t’i bëjë një vlerësim zhvillimeve në Kosovë si dhe rezultateve në përmbushjen e standardeve të qeverisjes së mirë. Analistët thonë se duket që ky dokument, i cili pritet të jetë gati brenda muajit shtator, të arrijë në përfundimin se ka ardhur koha që Kombet e Bashkuara të zgjidhin problemin e statusit përfundimtar të Kosovës.

Përfaqësuesi i organizatës joqeveritare Grupi Ndërkombëtar i Krizave, Aleks Anderson, thotë se negociatat për statusin përfundimtar do të jenë shumë të vështira. Ai thotë se do të jetë një sfidë tejet e madhe të arrihet një marrëveshje e pranueshme si nga shqiptarët edhe nga qeveria serbe: “Nuk mendoj, thekson zoti Anderson, se për Kosovën mund të gjendet një zgjidhje ideale. Ajo është një territor ndaj të cilit ka pretendime të forta dhe çfarëdo zgjidhje që të gjendet, kjo nuk do të jetë e kënaqëshme për të gjitha palët.” Zoti Anderson mendon se ajo që ka mundësi të arrihet, ndoshta brenda 12 muajsh, është një plan për pavarësi me kushte.

Enver Hoxhaj, anëtar i parlamentit të Kosovës dhe profesor i filizofisë në Universitetin e Prishtinës, mendon se është i nevojshëm caktimi i një afati të paluhatshëm për t’u dhënë fund negociatave për statusin përfundimtar. Zoti Hoxhaj hedh poshtë idenë e nevojës që Serbia të bjerë dakord me statusin përfundimtar të Kosovës: “Nuk mendoj, thotë zoti Hoxhaj, se Beogradi duhet të pyetet në lidhje me statusin përfundimtar. Aktualisht, Beogradi ka të drejtë të jetë i interesuar për pozitën e serbëve të Kosovës dhe për sa u përket pozitës së objekteve kishtare ortodokse. Dhe mendoj se të gjithë e kuptojnë këtë gjë. Por për sa i përket çështjes së statusit, Beogradi thjesht nuk ka legjitimitetin.”

Analistë të tjerë thonë se në mënyrë që të sigurohet qendrueshmëria rajonale, është qenësore që një zgjidhje e çështjes së Kosovës të jetë e pranueshme nga Serbia. Shqiptarët e Kosovës nuk duan asgjë më pak se pavarësia, gjë që kundërshtohet nga Serbia. Serbët e Kosovës, të cilët përbëjnë shumë më pak se 10 për qind të popullsisë, ishin në shënjestër të trazirave 16 muaj më parë.

Zoti Anderson mendon se shpërthimi i sërishëm i dhunës etnike do të dëmtonte negociatat për statusin përfundimtar: “Mendoj, thekson zoti Anderson, se pranohet gjerësisht që një përsëritje e dhunës si ajo që pamë marsin e vitit të kaluar, do të ishte katastrofike për sa i përket vlerësimit ndërkombëtar për Kosovën.”

Sipas thuajse të gjitha vlerësimeve, në Kosovë është bërë përparim gjatë 12 muajve të fundit. Marrëdhëniet etnike janë përmirësuar, është rritur toleranca ndaj pakicave dhe autoriteteve vendore u janë dhënë më shumë kompetenca. Por, ekonomia mbetet e dobët, me një shkallë papunësie prej afro 50 për qind. Pritet që pasi Kombet e Bashkuara të arrijnë përfundimin se bisedimet mbi statusin përfundimtar mund të fillojnë, këto do të kryesohen nga një diplomat i lartë i Bashkimit Evropian, i ndihmuar nga një amerikan.

XS
SM
MD
LG