Lidhje

Përfundon ecja e pare në hapësirë e astronautëve të anijes Diskavëri


Dy astronautë të anijes së hapësirës Diskavëri përfunduan ecjen e parë në hapësirë nga tre të tilla të planifikuara gjithsej për misionin e tanishëm.

Amerikani Steve Robinson dhe japonezi Soichi Noguchi u kthyen në anije pas një ecjeje në hapësirë prej 6 orë e 50 minutash.

Ata testuan teknikat e riparimit në sistemin mbrojtës refraktar të anijes si dhe kryen disa detyra të tjera riparimi në Stacionin Orbital Ndërkombëtar ku anija u ankorua të enjten.

Në ecjet e tjera të planifikuara në hapësirë ata do të vazhdojnë punën në stacionin orbital përpara kthimit të Diskavërit në tokë që është planifikuar për më 7 gusht.

Në fillim të kësaj jave, Nasa vendosi të pezullojë fluturimet e ardhëshme të anijeve shuttle, pasi u mësua se nga rezervuari i jashtëm i karburantit të anijes ishin shkëputur katër copra materiali izolues.

Fluturimet do të rifillojnë vetëm kur problemi të jetë zgjidhur. Rënia e materialit izolues u bë shkak për tragjedinë e anijes Kolumbia në vitin 2003 kur ajo ishte duke hyrë në atmosferën e tokës.

XS
SM
MD
LG