Lidhje

Irak: Vriten 14 marinsa amerikanë dhe përkthyesi i tyre civil


Nga shpërthimi i një bombe anës rrugës në Irakun perëndimor u vranë 14 marinsa amerikanë dhe përkthyesi i tyre civil. Zyrtarët amerikanë thonë se një marins tjetër u plagos nga shpërthimi që ndodhi sot në jug të qytetit Haditha, në afërsi të kufirit me Sirinë.

Zyrtarë ushtarakë amerikanë thanë se vdekja e 21 marinsave amerikanë në afërsi të qytetit Haditha në Irak këtë javë është rezultat i një ofensive kundër kryengritësve, që e përdorin këtë qytet dhe qytete të tjera në zonë si baza për operacionet e tyre.

Shpërthimi në anë të rrugës sot në orët e para të mëgjesit ishte sulmi më vdekjeprurës i vetëm mbi forcat amerikane që nga dhjetori. 14 marinsa amerikanë gjetën vdekjen së bashku me përkthyesin irakian edhe pse po udhëtonin në një makinë të blinduar. Zyrtarët amerikanë thanë se bombat e vendosura në anë të rrugëve vazhdojnë të jenë arma më e përdorur nga kryengritësit.

Zëvendës drejtori i operacioneve rajonale, gjenerali i brigadës Carter Ham tha se ndërsa numri i shpërthimeve të tilla ka rënë, pasojat që ato shkaktojnë janë tepër vdekjeprurëse. Gjenerali Ham tha se kryengritësit po bëjnë edhe ndryshime të tjera strategjike. “Po shohim ndryshim të teknikave që po përdoren në përpjekje për t’u përballur me koalicionin dhe forcat irakiane të sigurimit, lloje të ndryshme taktikash dhe teknikash për të nxitur zhvillime. Armiku është shumë vdekjeprurës dhe që ndryshon vazhdimisht”.

Të hënën një tjetër marins amerikan u vra nga një bombë në afërsi të të njëjtit qytet, në të njëjtën ditë, në të njëjtën zonë gjashtë marinsa u vranë në një betejë me kryengritësit. Gjenerali Ham tha se seria e sulmeve në Haditha dhe përreth saj duket se bëhet në përgjigje të ofensivës që po zhvillojnë forcat e koalicionit në Irakun perendimor në bazat tradicionale të kryengritësve.

Gjenerali tha se trupat po vënë nën kontroll disa qytete përgjatë Lumit Eufrat në veriperëndim të Bagdatit, përfshi Hadithën duke kufizuar kështu aftësinë e kryengritësve për të lëvizur nëpër këtë zonë. "Ndoshta më parë ata mund të kenë pasur mundësinë të lëvizin lirisht. Për shembull, në se do të kishte trysni në Haditha ata do të lëviznin ndoshta diku tjetër. Tani për shkak të operacioneve që po kryejnë forcat e koalicionit në të njëjtën kohë, kryengritësit nuk e kanë më lirinë e lëvizjes. Mendoj se kjo është një nga arsyet e shtimit të rasteve të incidenteve".

Gjenerali Ham tha se në atë zonë janë çuar forca shtesë të koalicionit dhe se operacioni përfshin gjithashtu rreth një mijë trupa irakiane.

XS
SM
MD
LG