Lidhje

Plan i ri për decentralizimin në Kosovë


Qeveria e Kosovës do të dalë së shpejti me një plan të ri për decentralizimin, i cili do të shqyrtohet në mbledhjen e ardhshme të qeverisë të martën.

Zëdhënësi i qeverisë Daut Dauti, u tha gazetarëve sot në Prishtinë, se qeveria do të vazhdojë diskutimet me përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës lidhur me këtë çështje.

Zoti Dauti pohoi se kjo çështje është diskutuar sot në takimin midis zv.kryeadministratorit ndërkombëtar Lari Rosin dhe kryeministrit Bajram Kosumi. "Mund të thuhet që është një qasje e re që po krijon qeveria për procesin. Nuk parashihet shtim i komunave, ato pesë projekte do të jenë ato që janë".

Plani i ri për decentralizimin, do të fillojë të zbatohet menjëherë. Zëdhënësi i qeverisë Daut Dauti konfirmoi gjithashtu se të hënën, do të vihet gurthemeli për një ndërtesë të re për romët që kanë jetuar deri tani në një kamp në Plemetin. 36 familje rome do të gjejnë strehë në këtë ndërtesë. " Nga ana e qeverisë do të kushtojë afro 200 mijë euro që janë ndarë para disa ditësh dhe po ashtu, zoti Rosin, ka premtuar se do të japë pjesën e tij që është rreth 200 mijë euro. Por ka shqyrtuar mundësinë që kjo shifër të rritet, mundësisht deri në 300 mijë, në mënyrë që të fillojë edhe ndërtimi i një vendbanimi tjetër në Lipjan, për 19 familje të tjera që do të vendosen pas kryerjes së ndërtesës".

Kampi i Plemetinit në të cilin kanë banuar romët e zhvendosur nga pjesë të ndryshme të Kosovës, është konsideruar një problem shumë i madh, i cili është trajtuar në mënyrë të veçantë nga qeveria e Kosovës në fillim të këtij viti.

XS
SM
MD
LG