Lidhje

Ish-zyrtarë të OKB-së akuzohen për korrupsion lidhur me programin Naftë për Ushqim për Irakun


Ish-zyrtari i OKB-së, Aleksander Jakovlev pranoi akuzat për pastrim parash dhe mashtrime lidhur me programin Naftë për Ushqim për Irakun. Zoti Jakovlev e pohoi fajësinë disa orë pasi Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Kofi Anan i hoqi atij imunitetin diplomatik. Komisioni i pavarur që po heton rreth korrupsionit në programin Naftë për Ushqim, e akuzoi zotin Jakovlev se ka marrë rreth 1 milionë dollarë rryshfete nga kompanitë që fituan kontratat e OKB-së. Komisioni ka akuzuar për korrupsion edhe ish-drejtuesin e programit, Benon Sevan.

Për vite me radhë Benon Sevan kryesonte Programin Naftë për Ushqim të Kombeve të Bashkuara në Irak. Por tani ai po u fshihet autoriteteve.

Të hënën një komision i pavarur që heton korrupsionin në Programin Naftë për Ushqim akuzoi qipriotin 67-vjeçar se ka pranuar rryshfete, dhe rekomandoi që t’i hiqej imuniteti diplomatik. Pol Volker kryeson komisionin hetimor:

“Komisioni rekomandon që Sekretari i Përgjithshëm të pranojë çdo kërkesë nga një autoritet i rregullt i rendit për t’i hequr imunitetin e Kombeve të Bashkuara zotit Sevan”.

Benon Sevan dha të dielën dorëheqjen nga Kombet e Bashkuara dhe nxori një deklaratë përmes avokatit të tij, ku pretendon se hetuesit po përpiqeshin të gjenin dikë për të fajësuar, një kokë turku, siç u shpreh ai.

Kombet e Bashkuara e krijuan Programin Naftë për Ushqim për të ndihmuar popullin irakian të përballonte sanksionet ekonomike të vendosura pas Luftës së Parë të Gjirit. Sadam Huseini mund të shiste një sasi të kufizuar nafte, me kusht që fitimet e nxjerra nga kjo të përdoreshin për të blerë ushqime dhe ilaçe.

Zoti Sevan, i cili drejtonte programin, akuzohet se ia ka kaluar kontratat e naftës një tregëtari egjiptian dhe si rezultat ka marrë gjithësej 150 mijë dollarë ryshfete.

“Në llogarinë e zotit Sevan në Nju Jork depozitoheshin para të thata, të gjitha të shoqëruara nga një numër telefonatash”, thotë zoti Volker.

Raporti mbi korrupsionin në Programin Naftë për Ushqim arriti në përfundimin se Aleksander Jakovlev, ish-zyrtar i akordimit të kontratave për Kombet e Bashkuara, u përpoq të kërkonte rryshfete lidhur me programin dhe pranoi afro 1 milion dollarë rryshfete jashtë programit. Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm thotë se zotit Jakovlev iu hoq imuniteti diplomatik pas kërkesës së prokurorëve amerikanë.

Por Mark Mallok Braun, shefi i personelit të Sekretarit të Përgjithshëm, mendon se hetimet kanë pasur një objektiv tepër të ngushtë dhe janë përqëndruar vetëm në disa individë:

“Hetimet nuk kanë hetuar më gjerësisht rrjetin e jashtëzakonshëm të kompanive në mbarë botën, të cilat përfitonin çdo ditë disa herë më shumë se çdo zyrtar i Kombeve të Bashkuara”.

Raporti theksonte gjithashtu se mesazhet e reja elektronike çojnë në përfundimin se Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Kofi Anan dinte më shumë se pohoi fillimisht lidhur me përfshirjen në korrupsion të një kompanie ku ishte punësuar i biri. Hetuesit thonë se roli i zotit Anan do të sqarohet në raportin e tyre përfundimtar që do të publikohet muajin e ardhshëm.

XS
SM
MD
LG