Lidhje

Vëzhguesit ndërkombëtarë kanë gati raportin për zgjedhjet e 3 korrikut në Shqipëri


Përfaqësuesi i Zyrës për Insitucione Demokratike dhe të Drejta Njerëzore (ODIHR) pranë OSBE-së, Jurgen Grunet, zhvilloi sot një seri takimesh në selitë e partive kryesore politike në Tiranë, për të ndjekur nga afër përgatitjet e votimeve në 3 zona këtë fundjavë.

Zoti Grunet pati takime me kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe me sekretaren e Partisë Socialiste, Valentina Leskaj. Jozyrtarisht mësohet se në këto takime janë diskutuar disa hollësi rreth projekt-raportit të vëzhguesve për zgjedhjet e 3 korrikut si edhe cështje që lidhen me përsëritjen e votimeve në 3 zona të Shkodrës, Lushnjes dhe Gjirokastrës.

Kryetari i PD, dhe kandidati për kryeministër i koalicionit të djathtë, Berisha, pati sot gjithashtu një takim me ambasadoren e SHBA në Tiranë, Marsi Ris, por megjithë interesimin e madh të shtypit asnjë hollësi nuk u publikua. Zoti Berisha tha se PD shpresonte të fitonte edhe 3 zonat e 21 gushtit, ndërkohë që ka siguruar një shumicë bindëse.

“Në fakt, zgjedhjet kanë përfunduar. Në 21 gusht PD do të bëjë përpjekje për një proces të lirë e të ndershëm. Mazhoranca është e konsoliduar, madje ekziston një padurim i madh i shqiptarëve për të parë që programi i saj të vihet në jetë” - tha zoti Berisha.

Sipas tij, një marrëveshje për pjesëmarrje në qeveri do të nënshkruhet nesër edhe me PDR-në e zotit Genc Pollo. Zoti Berisha vlerësoi si shumë të rëndësishëm bashkëpunimin me aleatët e djathtë dhe forcat e tjera politike të qendrës si një mbështetje për suksesin e reformave.

“Bashkëpunimi është një linjë kryesore e jona. Ne jemi shumë të vendosur që të angazhohemi në procesin e reformave më të thella që vendi ka njohur, në mënyrë që të dalim nga ky spiral dhe ta kthejmë sa më shpejt në realitet ndryshimin që u premtuam shqiptarëve” – tha ai.

Tirana zyrtare pritet të ketë së afërmi një qeveri me 14 ministri, 4 nga të cilat do t’u përkasin aleatëve të PD. Kryetari i saj, Berisha, bëri të ditur se ministria e rendit do të bashkohet me atë të pushtetit vendor, ministria e ekonomisë do të shkrihet me atë të industrisë e energjitikës, ndërsa ministria e kulturës do të njësohet me atë të turizmit, dhe posti i ministrit të shtetit nuk do të ekzistojë më.

Por që të arrihet deri te parlamenti i ri dhe qeveria e re duhet së paku të priten edhe rezultatet e 3 zonave të përsëritura të 21 gushtit dhe që procesi i votimit të kalojë i qetë dhe pa shkaqe për ankesa të reja të palëve apo pretendime për parregullsi e pavlefshmëri, ndërkohë që ndërkombëtarët do të kenë vendosur vëzhgues në cdo qendër votimi.

XS
SM
MD
LG